Kryeministri Edi Rama ka ofruar sërish një sqarim në lidhje me një deklaratë të tij të mëparshme, e cila ka shkaktuar një debat të gjerë publik dhe protestat e vazhdueshme para Kryeministrisë, ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e tij që prej gati një muaji.
Në një video të publikuar në platformat sociale, Rama ka hedhur poshtë pretendimet se shprehja e kontestuar ishte drejtuar shqiptarëve, duke theksuar se ajo është marrë jashtë kontekstit të një interviste.
“Fakti është se unë nuk ua kam thënë shqiptarëve kurrsesi atë fjalë. Duket qartë edhe në artikull. Kur gazetari më pyeti si u përgjigjesh atyre që të akuzojnë se je kumbari i qeverisë, i thashë shkurt atë që meriton kush më baltos pa prova prej vitesh,” u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se deklarata e tij është nxjerrë nga një intervistë e gjatë, duke sugjeruar se gazetari i “Financial Times” ka zgjedhur vetëm një pjesë të diskutimit.
“Ka qenë një bisedë rreth një ore dhe është zgjedhur vetëm ajo fjali. Nuk jam pishman,” deklaroi ai.

