Aktivisti Mirsad Basha: Thethi është lënë në harresë, turistët përballen me mbeturina dhe rrugë të shkatërruara

Publikuar me datë:

Aktivisti shkodran Mirsad Basha ka ngritur shqetësimin për gjendjen e Thethit, duke akuzuar drejtuesit e Bashkisë Shkodër se prej më shumë se tre vitesh e kanë lënë pas dore një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të vendit.

Përmes një reagimi publik, Basha shprehet se rrugët e amortizuara, hyrja e dëmtuar e fshatit, mungesa e pastrimit të mbetjeve dhe hapësirat publike pa mirëmbajtje tregojnë qartë, sipas tij, mungesën e vëmendjes së Bashkisë ndaj Thethit.

“Dikur Thethi ishte në qendër të vëmendjes dhe shënonte hapjen e sezonit turistik. Bashkia e promovonte në panaire si kartolina prezantuese e Shkodrës dhe e Shqipërisë. Sot, fatkeqësisht, kjo qasje ka humbur”, shkruan Basha.

Ai pretendon se fondet që më herët planifikoheshin për investime në Theth po orientohen drejt aktiviteteve dhe eventeve të tjera, ndërsa një prej aseteve më të çmuara turistike të Shqipërisë po lihet në harresë.

Sipas aktivistit, nuk mjafton publikimi i fotografive të bukura në rrjetet sociale për të promovuar zonën, pasi bukuria natyrore e Thethit nuk është meritë e institucioneve vendore. Ai thekson se investimet duhet të fokusohen te infrastruktura, pastrimi, mirëmbajtja e shtigjeve turistike, shërbimet për vizitorët dhe rikualifikimi i qendrës së fshatit.

Basha vlerëson banorët e Thethit për mikpritjen dhe punën e tyre, duke theksuar se falë përkushtimit të tyre zona vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të vizituara në Shqipëri.

“Është turp t’u serviret turistëve kjo pamje. Gjatë ditës ata vizitojnë mrekulli natyrore si Ujëvara e Grunasit dhe Syri i Kaltër, por kur kthehen në qendrën e banuar përballen me një realitet krejt tjetër”, shprehet ai.

Në fund të reagimit, aktivisti i bën thirrje drejtuesve të Bashkisë Shkodër, Ermira Teliti dhe Benet Beci, që të tregojnë më shumë kujdes ndaj Thethit, duke theksuar se zona meriton investime, mirëmbajtje dhe respekt për banorët dhe mijëra turistët që e vizitojnë çdo vit.

Reagimi i plote

Prej ma shume se 3 vitesh, drejtuesit e Bashkise Shkoder, Ermira Teliti dhe Benet Beci e kane lane Thethin ne harrese.

Rruge te amortizume, hyrja e Thethit e shkatrrume, mbetje qe nuk pastrohen, hapsina publike pa mirembajtje, nji qender qe nuk ka pa asnji rikualifikim. Mjafton me ba nji shetitje ne Theth me e kuptu se ky vend nuk e ka vemendjen e drejtuesve te Bashkise.

Dikur Thethi ishte ne qender te vemendjes. Dikur shenonte hapjen e sezonit turistik. Dikur Bashkia merrte pjese ne panaire tu e promovu Thethin si kartolinen prezantuese te Shkodres e te krejt Shqypnise. Sot fatkeqsisht kjo qasje ka humb.

Fondet qe dikur planifikoheshin per Thethin, sot po perdoren ne aktivitete e evente te tjera, sipas deshires se drejtuesve te Bashkise, tu lane mbas dore njenin prej aseteve ma te cmume turistike qe ka vendi jone.

Nuk mjafton me postu fotografi te bukura te Thethit apo te Qafes se Thorres. Bukurine e Thethit nuk e kane kriju drejtuesit e Bashkise, ate na e ka fale Zoti. Merita e tyne do te ishte me investu ne ure, ne rruge, ne pastrim, ne sherbime per turistet, ne mirembajtjen e shtigjeve dhe ne rikualifikimin e qendres se Thethit.

Na jena me fat qe Thethi ka banore punetore e mikprites, te cilet presin me mijera turiste cdo dite. Asht fale punes se tyne qe Thethi vazhdon me kene nji prej destinacioneve ma te vizitueme ne Shqypni.

Por po te bante Bashkia detyren e vet, Thethi do te ishte edhe ma i bukur, ma i paster, me ma shume sherbime per turistet dhe nji prezantim dinjitoz per Shkodren e krejt vendin.

Asht turp me ia servir turisteve kete pamje. Gjate dites, mijera vizitore shijojne bukurite ma te rralla te Thethit, si Ujvara e Grunasit apo Syri i Kalter, por sapo kthehen ne qendren e banume, perballen me nji realitet krejt tjeter

Thethi meriton ma shume se fotografi ne rrjete sociale Ermira Teliti dhe Benet Beci. Thethi meriton kujdes, investime dhe respekt per banoret e vet e per mijera turiste qe e vizitojne cdo vit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related