Në mbrëmjen e datës 22.06.2026, gjatë një operacioni të zhvilluar nga Policia e Shtetit, me mbështetjen e forcave speciale RENEA dhe strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit Ermal Zalla, një person i konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Ne raportin zyrtar shkruhet se Zallës arma iu gjet ne banese, nderkohe burime nga police pjesemarres ne operacion pretendohet se arma iu gjet ne brez gjate kontrollit fizik.
Ermal Zalla është një emër i njohur për organet ligjzbatuese, i përfshirë më herët në ngjarje kriminale, përfshirë plagosje, shkelje të masës së arrestit shtëpiak dhe raste të tjera me rrezikshmëri të lartë. Ai ishte gjithashtu i shpallur në kërkim nga Policia e Lezhës në lidhje me ngjarjen e datës 10.06.2026.
Sipas provave filmike, materialeve shkencore dhe të dhënave të administruara nga policia, Zalla, së bashku me nje shtetas tjetër, dyshohet se ka vendosur një sasi lënde plasëse në fshatin Balldre i Vjetër, pranë disa banesave, duke shkaktuar frikë dhe panik te banorët e zonës. Sipas hetimeve paraprake, ekzistojnë pamje filmike, komunikime telefonike dhe të dhëna të tjera që pretendohet se e lidhin të dyshuarin me vendngjarjen pak minuta përpara shpërthimit.
Pavarësisht këtyre elementeve hetimore, si dhe pavarësisht faktit se ndaj tij rëndojnë dyshime për armëmbajtje pa leje, personi në fjalë u paraqit pranë Prokurorisë dhe, me vendim të prokurores së çështjes, u la i lirë.
Ky vendim ka ngritur shqetësime dhe reagime të forta në opinionin publik. Lind pyetja: cilat ishin arsyet ligjore që çuan prokuroren në përfundimin se nuk ekzistonin kushtet për të kërkuar një masë sigurie më të rëndë? A janë vlerësuar siç duhet rrezikshmëria shoqërore e të dyshuarit, precedentët e tij penalë, fakti që ka qenë më parë në kërkim dhe dyshimet për përfshirje në një ngjarje me eksploziv?
Nëse vërtet ekzistojnë prova të tilla si pamjet filmike, komunikimet telefonike, prezenca fizike pranë vendngjarjes dhe sekuestrimi i një arme pa leje, atëherë opinioni publik ka të drejtë të kërkojë transparencë dhe shpjegime të plota mbi arsyetimin juridik që çoi në lirimin e tij.
Drejtësia nuk matet vetëm me arrestimet spektakolare, por mbi të gjitha me aftësinë për të garantuar sigurinë publike dhe për të trajtuar me seriozitet rastet që përfshijnë persona me precedentë kriminalë dhe dyshime të forta për vepra të rënda penale. Për këtë arsye, qytetarët presin një sqarim të plotë institucional mbi vendimin e marrë, në mënyrë që besimi te drejtësia të mos cenohet dhe të mos krijohet perceptimi se individë me rrezikshmëri të lartë mund t’i shmangen përgjegjësisë ligjore.

