Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, theksoi se mandati i deputetes në fjalë i takon Partisë Socialiste dhe jo individit, duke iu referuar metodës së përzgjedhjes së saj sipas Kodit Zgjedhor.
Sipas Demos, deputetja ishte e para në listën e mbyllur dhe nuk ka siguruar asnjë votë personale. Ai nxiti nevojën që çdo deputet të ketë transparencë ndaj votuesve të tij.
Demo vuri në dukje se kompaktësia e grupit parlamentar mbetet e fortë, ndërsa Partia Socialiste është e vendosur për proceset që e presin, sidomos në lidhje me objektivat strategjike të vendit.
“Ky mandat është i PS-së dhe jo i deputetes përkatëse. Sipas Kodit Zgjedhor, ajo ka qenë e para në listën e mbyllur dhe nuk ka marrë asnjë votë personale. Çdo deputet duhet të jetë transparent me votuesit e tij, por duket se votuesit e saj kanë një mendim ndryshe nga ajo që ajo deklaron,” tha ai.
“Gjatë fundjavës, zhvilluam takimin e grupit parlamentar, ku u diskutuan çështje të prioriteteve të grupit. Unë jam i bindur se kompaktësia e grupit është e padiskutueshme dhe PS-ja, si grup parlamentar, është shumë e qartë për këtë proces të ndjeshëm.”
“Duhet të jemi të përqendruar në përmbushjen e kushteve që na parashtron BE-ja. Nga ana politike dhe përmes përpjekjeve që PS ka bërë për t’u energjizuar, besoj se jemi të sigurt për atë që përfaqësojmë dhe cfarë kemi si objektiv.”
“PS është e shëndetshme dhe e gatshme të realizojë hapa të shpejtë në të gjitha sistemet.”

