Gazetari Leonard Koja ka reaguar pas vendimit të qeverisë për të shpallur mbi 51 mijë hektarë territor në Malësinë e Madhe si zonë prioritare për zhvillim ekonomik, turistik dhe investues.
Në një reagim të gjatë publik, Koja shtron një sërë pyetjesh për Bashkinë Malësi e Madhe, deputetët e zonës dhe opozitën, duke kritikuar mungesën e transparencës dhe të konsultimeve me banorët.
Sipas tij, shqetësimi kryesor lidhet me çështjen e pronësisë, pasi shumë familje në Malësi të Madhe vazhdojnë të kenë ende probleme të pazgjidhura me dokumentacionin e pronave. Koja kërkon garanci ligjore dhe informim të plotë për banorët mbi projektet që parashikohen të zhvillohen në këtë territor.
Në fund të reagimit, ai ngre edhe një pyetje të drejtpërdrejtë: “Kush po përgatitet të ndërtojë tre teleferikë në Malësinë e Madhe?”, duke lënë të kuptohet se priten zhvillime të rëndësishme për zonën.
“Malësia e Madhe përballë një prej vendimeve më të rëndësishme të 35 viteve të fundit:
Pse po heshtin të gjithë?
Ndërsa Shqipëria është mbërthyer prej javësh nga protestat, debatet politike, akuzat dhe kundërakuzat që pushtojnë ekranet televizive dhe rrjetet sociale.
Një zhvillim me pasoja të jashtëzakonshme për Malësinë e Madhe ka kaluar pothuajse në heshtje.
Më 19 qershor 2026, qeveria shpalli mbi 51 mijë hektarë territor në Malësinë e Madhe si zona prioritare për zhvillim ekonomik, turistik dhe investues.
Në letër tingëllon bukur.
Fjalët “zhvillim”, “investim”, “turizëm”, “punësim” gjithmonë tingëllojnë bukur.
Askush nuk mund të jetë kundër zhvillimit të zonës së vet.
Por pas këtyre fjalëve lindin disa pyetje që sot askush nuk po guxon t’i bëjë publikisht.
Përse po hesht Bashkia e Malësisë së Madhe?
Përse nuk ka një konferencë për shtyp?
Përse nuk ka një dëgjesë publike?
Përse nuk ka një takim me banorët?
Përse nuk ka një dokument të detajuar që t’u shpjegojë malësorëve se çfarë do të ndodhë me territoret ku ata kanë jetuar brez pas brezi?
Ku është kryetari i bashkisë Tonin Marinaj?
Ku janë këshilltarët bashkiakë?
51 MIJË HEKTARË NË MALËSINË E MADHE:
DHE HESHTJA QË TË TREMb:
Ka momente në historinë e një zone kur vendimet që merren nuk kanë të bëjnë thjesht me administrimin e territorit, por me të ardhmen e brezave të tërë.
Ka vendime që nuk prekin vetëm ekonominë, por pronën, identitetin, historinë dhe vetë ekzistencën e komuniteteve që kanë jetuar aty për shekuj.
Vendimi i qeverisë për të shpallur mbi 51 mijë hektarë në Malësinë e Madhe si zona prioritare për zhvillim ekonomik, turistik dhe investues është pikërisht një nga ato vendime.
Dhe pikërisht për këtë arsye, ajo që të trondit më shumë nuk është vetë vendimi.
Ajo që të trondit është heshtja.
Një heshtje e frikshme.
Një heshtje e organizuar.
Një heshtje që ngre më shumë pyetje sesa vetë vendimi i qeverisë.
Sepse kur bëhet fjalë për territorin më të madh malor në veri të Shqipërisë, për tokat e Vermoshit, Lëpushës, Bogës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit, Gruemirës dhe Koplikut, nuk mund të ketë heshtje.
Duhet të ketë debat.
Duhet të ketë transparencë.
Duhet të ketë llogaridhënie.
Por sot nuk ka asgjë.
Asnjë mbledhje publike.
Asnjë konsultim të hapur.
Asnjë dëgjesë me banorët.
Asnjë dokument të detajuar që t’u shpjegojë malësorëve se çfarë pritet të ndodhë me tokat e tyre.
Asnjë garanci.
Asnjë siguri.
Vetëm heshtje.
Dhe pikërisht kur pushteti hesht për pronën, qytetarët kanë arsye të shqetësohen.
KU ËSHTË BASHKIA MALËSI E MADHE?
Në çdo demokraci normale, institucioni i parë që do të dilte para qytetarëve do të ishte bashkia.
Do të organizonte takime.
Do të kërkonte sqarime.
Do të mbronte interesat e komunitetit.
Do të informonte banorët.
Por sot Bashkia Malësi e Madhe duket sikur nuk ekziston.
Ku është kryetari i bashkisë Tonin Marinaj?
Ku është administrata?
Ku janë këshilltarët bashkiakë?
A janë dakord me këtë proces?
A kanë kundërshtime?
A kanë rezerva?
A kanë kërkuar garanci për banorët?
Askush nuk e di.
Sepse askush nuk flet.
Dhe kur përfaqësuesit që janë zgjedhur për të mbrojtur interesin publik nuk flasin, lind pyetja e natyrshme:
Kë po përfaqësojnë ata sot?
Qytetarët apo dikë tjetër?
KUR HESHT OPOZITA, QYTETARËT KANË TË DREJTË TË DYSHOJNË:
Po opozita ku është?
Për vite të tëra kemi dëgjuar akuza për grabitje pronash,
për korrupsion,
për mungesë transparence dhe për shitje të pasurive publike.
Sot kemi një vendim që prek mbi 51 mijë hektarë territor.
Dhe përsëri heshtje.
Asnjë konferencë.
Asnjë protestë.
Asnjë reagim serioz.
Asnjë kërkesë për transparencë.
Kjo heshtje është po aq e frikshme sa vetë vendimi.
Sepse kur pushteti hesht dhe opozita hesht, qytetari fillon të mendojë se ndoshta të dyja palët dinë diçka që publiku nuk e di.
Po, po këta e dinë.
Dhe këta bashkë po e vjedhin Malësinë.
PO DEPUTETËT E ZONËS KU JANË?
Pse fshihen si Struci?
Kur duhen votat, Malësia e Madhe kujtohet nga të gjithë.
Premtime për zhvillim.
Premtime për investime.
Premtime për mbrojtje të pronës.
Premtime për kthimin e të rinjve.
Premtime për turizëm.
Premtime për bujqësi.
Premtime për blegtori.
Sot ka ardhur momenti i së vërtetës.
Sot malsorët nuk kërkojnë premtime.
Kërkojnë përgjigje.
Po deputetët ku janë?
Pse nuk dalin para banorëve?
Pse nuk mbajnë qëndrim?
Pse nuk kërkojnë transparencë?
Pse nuk kërkojnë garanci ligjore?
Pse nuk kërkojnë publikimin e çdo harte, çdo procedure dhe çdo projekti që lidhet me këto territore?
Heshtja e tyre është një fyerje për çdo malsor që ua ka besuar votën.
PROBLEMI NUK ËSHTË INVESTIMI.
PROBLEMI ËSHTË PRONA.
Askush nuk është kundër zhvillimit.
Askush nuk është kundër turizmit.
Askush nuk është kundër vendeve të punës.
Por çdo zhvillim duhet të fillojë nga respektimi i pronës.
Dhe pikërisht këtu qëndron problemi më i madh.
Malësia e Madhe është një nga zonat ku plagët e pazgjidhura të pronësisë vazhdojnë të jenë të hapura.
Ka familje që prej 35 vitesh enden nëpër institucione.
Ka familje që nuk kanë marrë kurrë atë që u takonte.
Ka familje që kanë trashëguar toka nga stërgjyshërit e tyre dhe ende nuk kanë siguri juridike.
Ka familje që kanë investuar në tokat e tyre dhe sot nuk dinë çfarë do të ndodhë nesër.
Dhe tani, papritur, këto toka po shndërrohen në zona me interes të lartë ekonomik.
Prandaj shqetësimi është i ligjshëm.
Sepse historia shqiptare ka treguar se sa herë që prona mbetet e paqartë, gjithmonë del dikush që përfiton nga paqartësia.
A PO PËRGATITET GRABITJA MË E MADHE E TOKAVE MALËSORE?
Kjo është pyetja që shumë malsorë po bëjnë sot.
Jo sepse janë kundër zhvillimit.
Por sepse nuk kanë besim.
Dhe nuk kanë besim për një arsye të thjeshtë.
Sepse shteti që për 35 vite nuk zgjidhi pronën e tyre, sot po flet për investime mbi të njëjtat prona.
Sepse shteti që nuk arriti t’u japë certifikata pronësie banorëve,
sot po projekton zhvillime strategjike mbi ato territore.
Sepse shteti që nuk gjeti kohë për malsorët për tre dekada,
papritur ka gjetur interes për tokat e tyre. Dhe kjo krijon dyshime të mëdha.
Shumë të mëdha.
MALËSIA NUK ËSHTË TOKË PA ZOT:
Kjo duhet thënë qartë.
Malësia nuk është territor bosh.
Nuk është një hartë ku mund të vizatohen projekte nga zyrat në Tiranë.
Nuk është një pasuri pa pronar.
Nuk është një vend ku banorët duhet të informohen pasi gjithçka të jetë vendosur.
Malësia është shtëpia e mijëra familjeve.
Është historia e tyre.
Është djersa e tyre.
Është sakrifica e tyre.
Është trashëgimia e tyre.
Dhe askush nuk ka të drejtë të vendosë për fatin e saj pa pyetur ata që jetojnë aty.
KOHA PËR PËRGJIGJE:
Sot qytetarët e Malësisë së Madhe nuk kanë nevojë për propagandë.
Nuk kanë nevojë për slogane.
Nuk kanë nevojë për fotografi inaugurimesh.
Kanë nevojë për transparencë.
Kanë nevojë për dokumente.
Kanë nevojë për garanci ligjore.
Kanë nevojë për siguri se prona e tyre nuk do të bëhet objekt pazari.
Kanë nevojë të dinë se kush do të përfitojë nga këto projekte.
Kanë nevojë të dinë nëse zhvillimi do t’u shërbejë banorëve apo vetëm një grushti interesash ekonomike dhe politike.
Sepse në fund të fundit pyetja më e madhe mbetet ende pa përgjigje:
A po ndërtohet zhvillimi i Malësisë së Madhe për malësorët:
Apo po përgatitet një proces ku malësorët rrezikojnë të mbeten spektatorë në tokën e tyre?
Deri sa kjo pyetje të marrë përgjigje, heshtja e institucioneve nuk është qetësuese.
Është alarmante.
Shtroj dhe një pyetje të drejtë për drejtë:
Kush po përgatitet të ndërtojë tre teleferik në Malësinë e Madhe?
Të presim!”

