“Shëndetësia falas”, gati gjysmën e shpenzimeve e paguajnë shqiptarët nga xhepi

Publikuar me datë:

Shqipëria vazhdon të jetë një nga vendet e rajonit ku qytetarët përballen me barrën më të madhe financiare në sektorin e shëndetësisë, megjithëse shpenzimet totale për këtë fushë janë në nivelin e mesatares për Evropën Juglindore. Sipas raportit “South East Europe 2030 Strategy – State of Play in 2025”, vendi alokën 7.0% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për shëndetësi, pak më pak se mesatarja rajonale prej 7.5%. Sidoqoftë, pagesat direkte nga xhepi përbëjnë 48.3% të shpenzimeve shëndetësore, duke e pozicionuar Shqipërinë në krye të listës së ekonomive të krahasuara në këtë aspekt.

Gjatë vitit 2023, shpenzimet për shëndetësinë në Shqipëri përbënin 7.0% të PBB-së, sipas të dhënave të raportit që citon informacionet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Kjo e vendos Shqipërinë pak më poshtë mesatares së Evropës Juglindore, që është 7.5%, ndërsa e tejkalon disa vende të tjera të rajonit, si Moldavia me 6.7%, Rumania me 5.7% dhe Turqia me 4.3%.

Kur e krahasojmë Shqipërinë me vendet fqinjë dhe ato të tjera të rajonit, vërehet se ajo mbetet pas Bosnjë-Hercegovinës, e cila alokon 8.9% të PBB-së për shëndetësi, Malit të Zi me 9.7%, Sllovenisë me 9.3%, Greqisë me 8.4%, Serbisë me 8.0%, Bullgarisë me 7.9%, Maqedonisë së Veriut me 7.4% dhe Kroacisë me 7.2%. Kjo tregon se Shqipëria, ndonëse nuk është ndër vendet me shpenzime të ulëta për shëndetësi, mbetet gjithsesi nën mesataren rajonale dhe larg vendeve që financojnë më shumë sistemin e shëndetësisë në mënyrë publike dhe totale.

Megjithatë, raporti thekson se sfida kryesore për Evropën Juglindore nuk qëndron vetëm në nivelin e shpenzimeve, por edhe në mënyrën se si këto fonde përkthehen në shërbime që duhet të jenë të aksesueshme, cilësore dhe të përballueshme për qytetarët. Në këtë aspekt, Shqipëria shfaq një dobësi të konsiderueshme.

Pagesat nga xhepi përbëjnë një përqindje prej 48.3% të shpenzimeve shëndetësore në Shqipëri, duke e bërë këtë nivelin më të lartë në regjion. Kjo do të thotë se afërsisht gjysma e kostove shëndetësore mbulohen nga qytetarët, ndryshe nga mbulimi që do të duhej ofruar nga skemat publike, sigurimet ose mekanizma të tjerë mbrojtës.

Diferenca me vendet e tjera është shumë e theksuar. Mesatarja për Evropën Juglindore është 28.2%, me vende si Kroacia që kanë vetëm 9.4% dhe Sllovenia 12.4%. Po ashtu, Turqia me 19.1%, Rumania me 23.0%, Mali i Zi me 26.3% dhe Moldavia me 27.5% janë nën këtë mesatare dhe shumë më poshtë Shqipërisë.

Edhe vendet si Maqedonia e Veriut me 39.6%, Bullgaria me 35.5%, Greqia me 34.3%, Serbia me 32.1% dhe Bosnjë-Hercegovina me 31.0% janë në grupin e atyre që përballen me barrën më të lartë për familjet. Megjithatë, Shqipëria e ka nivelin më të lartë të pagesave direkte nga qytetarët krahasuar me këto vende.

Kjo statistikë është thelbësore, pasi pagesat nga xhepi nuk janë thjesht një çështje financimi. Kur qytetarët obligohen të paguajnë vetë për vizita, analiza, barna ose trajtime, rreziku që ata të vonojnë kërkimin e kujdesit shëndetësor, të heqin dorë nga trajtimi ose të hasin vështirësi në mbulimin e nevojave të tjera themelore rritet ndjeshëm.

Raporti përmend gjithashtu analiza nga OBSH, sipas të cilave mbrojtja financiare në sektorin e shëndetësisë është më e fortë në vendet ku pagesat nga xhepi përbëjnë më pak se 15% të shpenzimeve shëndetësore. Në këtë kontekst, Shqipëria është shumë larg këtij standardi, ndërsa vende si Kroacia dhe Sllovenia janë më pranë një modeli më mbrojtës për familjet.

Nga Ekofin.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Vrasje me armë zjarri, ekzekutohen një oficer policie dhe autori i krimit në Montreal

Një oficer policie ka humbur jetën gjatë një operacioni...

Kushner dhe Ivanka Trump mohojnë përfshirjen në Zvërnec

Projekti për ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec...

Sindikatat nesër protestë para Ministrisë së Ekonomisë

Protesta për largimin e kryeministrit Edi Rama ka arritur...