Komuniteti sportiv i Shkodrës i dha këtë të dielë lamtumirën e fundit ish-basketbollistit Fatjon Taraboshi. Homazhet u zhvilluan në hollin e pallatit të sportit “Qazim Dervishi”, të organizuara nga Shoqata e Basketbollit Vllaznia, ku të pranishëm ishin familjarë, miq, ish-bashkëlojtarë dhe figura të sportit shkodran.
Trajneri Bledar Gjeçaj e cilësoi ndarjen nga jeta të Taraboshit si një humbje të madhe për basketbollin shkodran, duke vlerësuar kontributin e tij të rëndësishëm, veçanërisht në periudhat më të vështira që ka kaluar klubi Vllaznia.
Edhe ish-basketbollistët Herion Faslija dhe Damian Bekteshi shprehën dhimbjen për humbjen e parakohshme të ish-kolegut të tyre, duke kujtuar Taraboshin si një njeri që krijonte harmoni dhe frymë pozitive brenda ekipit.
Fatjon Taraboshi, një nga emrat e njohur të basketbollit shkodran dhe ish-kampion me Vllazninë, u nda nga jeta në moshën 39-vjeçare, duke lënë pas një boshllëk të madh në komunitetin sportiv të qytetit.

