Problemet me regjistrimin, legalizimin dhe kompensimin e pronave përfshijnë të gjithë Shqipërinë, nga Veri në Jug. Avokati i Popullit, Endrit Shabani, paraqiti një raport në Kuvend që identifikon qytetet me sfida të mëdha në lidhje me të drejtën e pronës.
“Drejtoritë Vendore të Kadastrës në Shkodër, Vlorë, Lezhë dhe Tiranë Veriore, Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit në Durrës, si dhe Bashkitë e Sarandës, Tiranës dhe Vlorës janë disa nga organet ku janë identifikuar problemet më të theksuara rreth regjistrimit, legalizimit dhe kompensimit të pronës.” theksoi ai.
Për më tepër, mijëra vendime për kompensim të ish-pronarëve janë ende të paregjistruara, një situatë që vazhdon pa ndryshime për gati dy vjet.
“Ajo që është shqetësuese është se rreth 27,023 vendime për kompensimin e ish-pronarëve mbeten të paregjistruara, pa asnjë përmirësim nga viti 2024, dhe shtyrja e afateve deri në vitet 2027 dhe 2028 nuk u pasua me masa konkrete.” shprehu Shabani.
Një tjetër shifër alarmante që ai përmendi ishte ajo e të paraburgosurve në vend.
“Shqipëria ka arritur një rekord shqetësues në nivel evropian. Nga 5,029 individë në sistemin penitenciar, rreth 2,858, ose 56.8%, janë të paraburgosur pa një vendim të formës së prerë. Krahasimisht, mesatarja në Evropë varion nga 25 deri në 30%.” shtoi ai.
Në përfaqësimin e tij për vitin 2025, Avokati i Popullit gjithashtu komentoi mbi dosjet që presin për një kohë të gjatë shqyrtim në gjykatat e Shqipërisë.

