Tabaku me drejtuesin e Reporterëve pa Kufij: Rënia e lirisë së medias, sinjal shqetësues për integrimin në BE

Publikuar me datë:

Komisioni për Median dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi sot një takim të posaçëm me Drejtorin e Reporterëve pa Kufij (RSF) për Europën Qendrore dhe Lindore, Pavol Szalai, në një moment kur debati mbi lirinë e medias në Shqipëri është rikthyer në qendër të vëmendjes publike dhe ndërkombëtare.

Takimi vjen vetëm pak javë pasi Kryeministri Edi Rama u përfshi në një debat publik me Reporterët pa Kufij pas publikimit të Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit, ku Shqipëria pësoi sërish rënie në renditje. Përplasja mes qeverisë dhe organizatës ndërkombëtare riktheu në vëmendje shqetësimet për gjendjen e medias, pluralizmin dhe pavarësinë editoriale në vend.

Në fjalën e saj hapëse, kryetarja e Komisionit, deputetja Jorida Tabaku, theksoi se liria e medias është një nga treguesit më të rëndësishëm të gjendjes së demokracisë dhe paralajmëroi se raportet ndërkombëtare po evidentojnë një përkeqësim të situatës në Shqipëri.

Duke iu referuar Indeksit të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, Tabaku vuri në dukje se Shqipëria renditet e 83-ta nga 180 vende, duke humbur terren krahasuar me vitin e kaluar. Sipas saj, kjo rënie pasqyron presionet politike, ekonomike dhe institucionale që ushtrohen ndaj gazetarëve dhe redaksive.

“Liria e medias nuk është një luks demokratik, por një kusht themelor për funksionimin e shtetit të së drejtës. Rënia në renditjet ndërkombëtare reflekton një klimë presioni dhe intimidimi ndaj gazetarëve, që krijon vetëcensurë dhe kufizon të drejtën e publikut për t’u informuar”, u shpreh Tabaku.

Ajo argumentoi se përtej treguesve statistikorë, problem mbetet klima e krijuar ndaj gazetarëve, e karakterizuar nga sulme verbale, anatemi dhe përpjekje për delegjitimimin e punës së medias kritike. Sipas saj, këto sjellje krijojnë një ambient ku vetëcensura bëhet mekanizëm mbijetese për shumë gazetarë dhe redaksi.

Tabaku solli në vëmendje edhe raportet e Freedom House dhe V-Dem, të cilat evidentojnë vështirësitë e Shqipërisë në garantimin e lirive civile, lirisë së shprehjes dhe aksesit në informacion të pavarur. Ajo theksoi se vendi vazhdon të renditet poshtë standardeve që priten nga një demokraci e konsoliduar europiane.

Një tjetër shqetësim i ngritur gjatë takimit ishte përqendrimi i pronësisë mediatike dhe varësia ekonomike e mediave nga interesa të lidhura me pushtetin. Sipas Tabakut, ekzistenca e një numri të madh mediash dhe portalesh nuk garanton domosdoshmërisht pluralizëm real nëse mungon pavarësia editoriale.

“Nuk mjafton të kemi shumë media apo shumë portale. Sasia nuk garanton liri. Ajo që ka rëndësi është pavarësia editoriale, aftësia e gazetarëve për të bërë pyetje pa frikë dhe ekzistenca e një mjedisi ku media mund të ushtrojë rolin e saj si kontrollues i pushtetit”, deklaroi Tabaku.

Kryetarja e Komisionit nënvizoi se liria e medias mbetet një nga elementët kyç të procesit të integrimit europian dhe se çdo regres i evidentuar nga organizata prestigjioze ndërkombëtare përbën një sinjal shqetësues edhe për institucionet europiane që monitorojnë përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Pamje e rëndë nga Kavaja, qeni lidhet pas makinës dhe tërhiqet zvarrë në rrugë

Një ngjare shqetësuese është regjistruar mesditën e kësaj të...

U arratis nga burgu në Itali, i riu shqiptar kapet në zonën ku banonte e dashura e tij

Një shqiptar është arratisur nga burgu i Brindisit në Itali...

Matura 2026, publikohen rezultatet e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë

Janë publikuar rezultatet e provimit të Gjuhës Shqipe dhe...