Data 11 qershor shënon një moment kyç për futbollin shqiptar, pasi në këtë ditë u regjistrua një ngjarje historike: pjesëmarrja në finalet e një kampionati europian.
Pas një dekade nga ky përfundim historik, FSHF TV ka përgatitur një dokumentar që sjell përjetimet dhe emocionet e brezit që ndryshoi faqen e futbollit shqiptar. Në përvjetorin e parë dyshifror të Euro 2016, ky projekt rikthen në kujtesë rrugëtimin e Kombëtares drejt Francës, duke e nisur nga sfidat e vështira deri te suksesi që bashkoi shqiptarët kudo, me kujtimet e një vere që mbetet e paharrueshme.
Dokumentari ofron dëshmi në ekskluzivitet nga protagonistët e asaj aventure historike. Armand Duka, president i FSHF-së, fokusohet në sfidat që shoqëruan rrugën drejt kualifikimit të parë në një turne të madh, duke theksuar rëndësinë dhe ndikimin e kalimit në fazën finale të këtij kompeticioni kontinental. Gianni De Biasi, trajneri i atyre ditëve, ndan filozofinë që formoi një skuadër të fortë dhe të bashkuar, duke zbuluar gjithashtu disa nga momentet më të vështira siç ishte përzgjedhja e katër lojtarëve që mbetën jashtë skuadrës, lënia e kapitenit Lorik Cana në stol në ndeshjen ndaj Rumanisë, dhe konflikti me Shkëlzen Gashin dhe Taulant Xhakën pas përballjes me Zvicrën.
Kujtimet e ish-kapitain Lorik Cana, simbol i atij ekipi dhe një nga figurat më të dashura për tifozët kuqezi, zënë gjithashtu një vend të veçantë. Edhe pse aventura e tij në Euro 2016 nuk përputhej me ëndrrat e tij, rrëfimet e tij, së bashku me ato të ish-lojtarëve Andi Lila dhe Taulant Xhaka, do t’i ofrojnë publikut një pasqyrë të emocioneve dhe sakrificave që shoqëruan atë udhëtim të jashtëzakonshëm.
Pjesë e dokumentarit është gjithashtu Armando Sadiku, autori i golit të vetëm të Shqipërisë në Kampionatin Europian “Francë 2016”. Goli i tij ndaj Rumanisë, që i dha Kombëtares fitoren e parë në një Europian, rikthehet përmes kujtimeve të vetë sulmuesit, si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e sportit shqiptar. Ndërkohë, Elseid Hysaj, një tjetër protagonist i asaj skuadre, tregon emocionet që përjetoi gjatë përfaqësimit të vendit në skenën më të madhe europiane, teksa mori shiritin e kapitenit për herë të parë në ndeshjen e vitit të kaluar ndaj Zvicrës, ndonëse në atë kohë ishte vetëm 22 vjeç.
Dokumentari ofron mundësinë për të rikujtuar atmosferën e jashtëzakonshme mes tifozëve, entuziazmin dhe ndihmën e madhe që ky kualifikim dha në rritjen e besimit te futbolli shqiptar.
Ky projekt shkon përtej thjesht rikujtimit të rezultateve dhe ndeshjeve të një dekade më parë; është një homazh për një brez që ndryshoi historinë dhe frymëzoi miliona shqiptarë. Pas dhjetë vjetësh, Euro 2016 vazhdon të jetë një nga kapitujt më krenarë të sportit tonë, dhe rrëfimet e protagonistëve kujtojnë se disa ëndrrat, kur besohen fort, mund të bëhen realitet.
“10 vjet nga Euro 2016” mund të ndiqet në FSHF TV dhe në kanalin zyrtar të FSHF në YouTube.

