Sot përkujtohet 84-vjetori i lindjes së Hysen Omit, një prej figurave më të shquara të historisë së mundjes shqiptare, i cili shquhet si për arritjet sportive, ashtu edhe për sukseset në rolin e trajnerit. Edhe pse hapat e parë i hodhi në sportin shkodran me ekipin e Vllaznisë, pikat kulmore të karrierës i arriti duke u bërë pjesë e Partizanit.
I lindur në Shkodër më 12 gusht 1942, Hysen Omi ishte biri i Muhamet Omit, një prej tregtarëve të njohur të qytetit. Dashuria për sportin iu zbulua herët dhe, së bashku me shokët e lagjes “Rus”, iu bashkua grupit të të rinjve të Vllaznisë. Aty, me talentin e tij të veçantë, arriti që në kampionatin e parë të shpallet kampion në kategorinë e peshave të lehta.
Pasi fitoi titullin e parë, ai u transferua te Partizani, duke nisur një periudhë të jashtëzakonshme në karrierën e tij si mundës. Me këtë klub, Hysen Omi arriti të fitojë 12 tituj kampion të Shqipërisë, 13 herë Kupën e Republikës dhe të triumfojë në Spartakiadën Kombëtare. Prezenca e tij në arenën ndërkombëtare i solli sportit shqiptar një mori rezultatesh të rëndësishme.
Pas tërheqjes nga aktiviteti si sportist, Omi u përkushtua trajnimit. Fillimisht, ai punoi me grupmoshat e Partizanit, për të kaluar më pas në drejtimin e ekipit të parë, ku formoi dhe nxori në pah dhjetëra kampionë që lanë gjurmë në historinë e mundjes shqiptare. Shumë nga këta sportistë kanë pohuar se sukseset e tyre u bazuan në punën dhe përkushtimin e trajnerit Hysen Omi.
Karriera e tij, si sportist dhe trajner, numëron rreth 40 tituj kampionë, çka e bën një nga personalitetet më të spikatura të sportit shqiptar.
Kontributi i Hysen Omit është vlerësuar me një sërë titujsh e dekoratash, ndër të cilat “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nderi i Klubit Partizani”, si dhe titulli i lartë “Mjeshtër i Madh”, i dhënë nga Presidenti i Republikës më 15 janar 2021. Së fundmi, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar e ka nderuar edhe me “Urdhrin Olimpik”.
Në këtë përvjetor të 84-të të lindjes së tij, Hysen Omi mbetet simbol i disiplinës, përkushtimit dhe arritjes, duke ruajtur një vend të veçantë në historinë e sportit në Shkodër dhe në mbarë Shqipërinë./RealitetiPost

