Ka filluar sot pelegrinazhi tradicional 5-ditor në Malin e Tomorrit, një nga ngjarjet kryesore shpirtërore për besimtarët bektashianë.
Qindra e mijëra njerëz nga Shqipëria, vendet e rajonit dhe komunitete të tjera ndërkombëtare janë ngjitur drejt Malit të Shenjtë, i cili gjatë këtyre ditëve shndërrohet në një qendër lutjeje dhe pelegrinazhi për paqe, shëndet dhe mirëqenie.
Nga data e sotme deri më 25 gusht, pelegrinazhi do të vazhdojë në këtë vend simbolik, ndërsa mes traditave më të veçanta mbetet qëndrimi në natyrë dhe fjetja në çadra. Pjesëmarrës të shumtë zgjedhin të kalojnë të paktën një natë në lartësitë e malit, duke e konsideruar këtë si një element thelbësor të pelegrinazhit.
Për të përballuar fluksin e konsiderueshëm të pelegrinëve, Policia e Shtetit ka vendosur masa të veçanta për kontrollin e trafikut në rrugët Berat–Poliçan–Kulmak dhe Çorovodë–Kulmak.
Gjithashtu, në zonë janë dislokuar ekipe të ndihmës së shpejtë si dhe shërbime të emergjencës civile, të cilat do të jenë në shërbim të pelegrinëve gjatë të gjitha ditëve të aktivitetit.

