4.9 mln euro investim, por godina e re “Edith Durham” ka më pak klasa se shkolla e vjetër

Publikuar me datë:

Shkolla 9-vjeçare “Edith Durham” në Tiranë pritet të rihapë dyert në vjeshtë pas procesit të rindërtimit. Megjithatë, prindërit dhe mësuesit e komunitetit shprehin shqetësime të thella lidhur me kapacitetet e saj, dhe frikësohen për mundësinë e zbatimit të mësimit me dy turne.

Një mësuese, e cila kërkoi të mbetet anonime, bëri të ditur se ambiente të reja të shkollës përmbajnë numër më të ulët klasash se godina e vjetër, çka ngre dyshime rreth efikasitetit të procesit mësimor.

“Aktualisht kemi në dispozicion 45 klasa, por vetëm 40 ambiente. Kjo do të thotë që pesë klasa do të detyrohen të zhvillojnë mësim pasdite, ose të transferohen në shkollën Emin Duraku, e cila ka hapësira të mjaftueshme,” shpjegoi mësuesja nga “Edith Durham”.

“Në situatën më të keqe, do të ndodhin bashkime klasash, duke rezultuar në numra shumë të lartë të nxënësve për çdo klasë,” vijoi ajo.

Ndarja e nxënësve në klasat e reja është bazuar në një udhëzim të miratuar në korrik të vitit 2023, ndërsa bashkimi i mundshëm i klasave do të shkaktonte mbingarkesë, shkelje të këtij udhëzimi dhe ulje të cilësisë së mësimdhënies.

Shkolla “Edith Durham” u shemb në verën e vitit 2024 me qëllim rindërtimin, financiarizuar me një fond prej 494 milionë lekësh nga Bashkia e Tiranës.

Edhe pse objekti i ri kishte për qëllim përmirësimin e kushteve dhe zgjidhjen e disa shqetësimeve të prindërve në lidhje me mësimin me dy turne, problemi vazhdon të mbetet i pranishëm pas rinovimit të shkollës.

Prindërit e nxënësve që frekuentojnë “Edith Durham” gjithashtu shprehen të zhgënjyer, duke i thënë se godina e rindërtuar nuk përmbush standardet e pritura, dhe se kapaciteti i shkollës nuk mjafton për të mbuluar nevojat e nxënësve të zonës, duke rritur frikën e mësimit me dy turne.

Aneo Hila, një prind aktiv nga Komuniteti i Prindërve për Arsim Cilësor, u shpreh se mësimi me dy turne dhe kushte të pamjaftueshme do të ndikojnë negativisht në edukimin e fëmijëve dhe jetën e përditshme të prindërve.

“Ambjentet e pakta dhe ndarja e klasave nuk lejojnë fëmijët të zhvillohen në ambiente optimale. Pa laboratore shkencore, salla arti dhe hapësira të mjaftueshme për numrin e nxënësve, ndihmojnë në një zhvillim të kufizuar,” tha Aneo Hila, duke e cilësuar këtë situatë si të papranueshme.

Hila gjithashtu vuri në dukje se fëmijët që do të ndjekin turnin e pasdites jo vetëm që do të kenë një përvojë mësimore të ndryshme nga ata që ndjekin mësimin në mëngjes, por përballet gjithashtu me një sfidë logjistike për prindërit që punojnë.

“Fëmijët pasdites humbasin mundësitë për aktivitete sociale dhe kohë cilësore me familjen,” theksoi ai.

“Për më tepër, prindërit punojnë në mëngjes. Kush do t’i kujdeset këtyre fëmijëve në mëngjes kur ne jemi në punë? Një nga prindërit mund të detyrohet të lërë punën, duke rritur kështu barrën financiare në familje,” shtoi Hila, duke shpjeguar ndikimet e mësimit në turnin pasdite.

Po ashtu, Ermelinda Hoxhaj, gazetare dhe anëtare e Komunitetit të Prindërve për Arsim Cilësor, shprehu se prindërit ishin duke pritur zgjidhje për problemet ekzistuese të mësimit me dy turne, por tani po përballen me një situatë të papritur në godinën e re të shkollës.

“Ne si prindër kemi luftuar për programin pas shkollor dhe orarin 8:00-16:00, ndërsa tani po e gjejmë veten në një situatë tjetër. Kjo është skandal,” shprehu Hoxhaj.

“Si është e mundur që një investim prej rreth 4.9 milionë euro nga taksat tona është realizuar pa marrë parasysh kapacitetin e shkollës, pa një studim demografik dhe pa një plan të qartë zhvillimi?” shtoi ajo.

Sipas Hoxhajt, këto mungesa jo vetëm që dëmtojnë procesin mësimor, por kanë gjithashtu pasoja negative për mirëqenien e fëmijëve.

“Mësimi me turne jo vetëm që lodh fëmijët dhe çon në prishjen e rutinës familjare, por gjithashtu pengon projektet e qëndrimit pas shkollor,” theksoi Hoxhaj.

Prindërit besojnë se Bashkia duhet të mbajë përgjegjësi për këto probleme të identifikuara në godinën e re, pasi ata i kishin njoftuar qeverisjen për shqetësimet e tyre që në fillim të projektit.

Aneo Hila tha se zëri i prindërve nuk është marrë parasysh, ndonëse ata kishin kundërshtuar projektin që në fillim.

“Kemi shprehur shqetësim që në konsultimet e para për projektin në shkollë,” shpjegoi ai. “Së bashku me arkitektë dhe inxhinierë, e kemi bërë të qartë se projekti nuk ofron klasa të mjaftueshme për numrin e nxënësve të regjistruar dhe kemi kërkuar ndryshime,” theksoi Hila.

Ai shprehu zhgënjimin e tij dhe theksoi se alternativa e vetme e prindërve tani është të ngrejnë zërin për të drejtat e tyre.

“Për të gjitha këto papërgjegjshmëri nga Bashkia Tiranë, prindërit nuk kanë asnjë zgjedhje tjetër veçse të protestojnë dhe të luftojnë për të drejtat e tyre,” tha Hila.

Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës nuk ka ofruar ndonjë përgjigje.

Nga Birn

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related