Një adoleshent norvegjez është dënuar pasi udhëtoi drejt Anglisë me qëllim të kryente një vrasje me pagesë të urdhëruar nga një grup kriminal ndërkombëtar me lidhje me Iranin.
Johannes Kongsnes Natland, 19 vjeç nga Stavangeri, kishte pranuar të ekzekutonte një person të paidentifikuar për një shpërblim prej 25 mijë eurosh. Vetëm dy ditë pasi mbërriti në Britani, ai u ndalua nga autoritetet në një hotel në Huddersfield, West Yorkshire, ku iu sekuestruan dy armë zjarri dhe municione.
Pas 17 orë e 6 minuta diskutimesh, juria e gjykatës “Old Bailey” e gjeti fajtor për përfshirje në vrasje gjatë një rigjykimi.
Natland nuk shfaqi asnjë reagim të dukshëm kur u lexua vendimi. Gjyqtarja Justice Cheema-Grubb e la të paraburgosur deri në dhënien e dënimit, i cili pritet të jepet në tetor.
Natland, i cili punonte me orar të shkurtër në një piceri, ishte rekrutuar nga “Foxtrot”, një organizatë kriminale suedeze me lidhje me autoritete iraniane.
Gjatë procesit gjyqësor, ai dëshmoi para jurisë se fillimisht kishte pranuar të merrte pjesë në planin e vrasjes për të siguruar para për drogë, duke supozuar se bëhej fjalë për një “shaka” ose një “mashtrim”.
Më pas, pasi kuptoi rrezikshmërinë e situatës dhe përfshirjen në rrjetin “Foxtrot”, Natland deklaroi se kishte menduar të “qëllonte veten në këmbë” për të shmangur kryerjen e vrasjes së porositur.
Viktima e synuar e këtij plani nuk është identifikuar asnjëherë. Policia Metropolitane theksoi se njësia kundër terrorizmit kishte “zbuluar një sasi të konsiderueshme provash që tregonin se Natland e dinte plotësisht se po i kërkohej të vriste dikë në Britani”.
“Po shkoj në një mision të çmendur. Do të jetë pak interesante të vrasësh dikë. Nëse nuk kapem, duhet ta festojmë”, i kishte shkruar ai të dashurës së tij në një mesazh.
Kur policia mbërriti në hotel, Natland doli nga dhoma duke buzëqeshur, ishte vetëm me të brendshme dhe me duar imitoi një gjest si të qëllonte ndaj një polici.
Oficerët gjatë kontrollit gjetën nën krevat një qese plastike që përmbante një pistoletë gjysmëautomatike, një revolver dhe 19 plumba.
Një prej miqve të Natland gjatë gjyqit kujtoi një bisedë ku i pandehuri kishte pohuar se “do të merrte shumë para dhe dikush do të vdiste”.
Natland u tha anëtarëve të jurisë se ato fjalë ishin thjesht “mburrje” dhe se në të vërtetë ndjente frikë.
“Nuk isha një vrasës ndërkombëtar. Mendova se njerëzit kishin këtë përshtypje për mua dhe prisnin që të isha ky person. E dija që nuk isha”, tha ai.
Pavarësisht kësaj, prokuroria theksoi se pas arrestimit ai kishte gënjyer, duke u përpjekur të bindte të dashurën që mos të dëshmonte kundër tij gjatë bisedave telefonike nga burgu.
Prokurori Alistair Richardson deklaroi: se “Realiteti është se i pandehuri është një i ri problematik, por i rrezikshëm. Një i ri që pranoi të vriste në një vend të huaj për para”.
Gjatë seancës, rezultoi se Natland ishte një futbollist premtues që kishte filluar përdorimin e drogës nga mosha 13-vjeçare. Ai kishte kaluar një kohë të shkurtër në një qendër kujdesi, ku u njoh me një anëtar adoleshent të “Foxtrot” dhe më pas me një rekrutues të quajtur “Generalen”.
Më 17 mars 2025, Natland udhëtoi me avion nga Stavangeri drejt aeroportit të Mançesterit, duke përdorur një pasaportë të përkohshme. Në Mançester u ndalua nga autoritetet kufitare, të cilat ia lanë të lirë me detyrimin që të kthehej në aeroport për fluturimin e radhës për në Norvegji.
Ai, megjithatë, mori një taksi për në Huddersfield, ku iu dorëzuan 2 mijë paund cash, dy armë zjarri, municione dhe një makinë Nissan e vjedhur me targa të falsifikuara. U arrestua të nesërmen rreth orës 05:15 të mëngjesit.
Natland mbikëqyrej nga një individ që përdorte pseudonimin “Agent 47”, një referencë ndaj lojës dhe filmave “Hitman”. Identiteti dhe vendndodhja e këtij personi mbeten të panjohura.

