Gjykata e Fierit, pas kërkesës së prokurorisë, ka vendosur masa sigurie për 14 individë të dyshuar për ushtrim të veprimtarive financiare në fushën e këmbimit valutor, pa pasur licencën e nevojshme nga Banka e Shqipërisë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Fierit, këto procedime janë pjesë e hetimeve të hapura në procedimin penal nr. 617 të vitit 2026, nën akuzën “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, e parashikuar nga neni 170/ç i Kodit Penal.
Autoritetet hetimore, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, kanë përdorur metoda speciale për të dokumentuar 14 raste të subjekteve tregtare që dyshohet se kanë operuar në mënyrë të palicencuar në tregun e këmbimit valutor.
Nga 14 personat e përfshirë, 11 janë vendosur në “Arrest në shtëpi”. Ndërsa për tre të tjerët janë marrë masa të ndryshme sigurie: dy prej tyre kanë detyrim paraqitjeje në policinë gjyqësore dhe ndalim të daljes jashtë shtetit, ndërsa për personin e tretë është përcaktuar vetëm “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Hetimet kanë përfshirë kontrollin e subjekteve të dyshuara si dhe banesat e administratorëve të këtyre bizneseve.
Si prova materiale janë sekuestruar sasi të mëdha parash në valutë të ndryshme, përfshirë 4.461.000 lekë, 92.390 euro, 8.215 paund britanikë, 220 franga zvicerane, 30 lira turke dhe 45 dirhamë.
Gjatë kontrolleve janë bllokuar gjithashtu një armë sportive tip pistoletë me zara plastikë, një pistoletë antike, një mjet i mprehtë antik me këllëf, si dhe një mjet i mprehtë metalik me bisht druri.
Prokuroria bën të ditur se puna hetimore vazhdon për të dokumentuar plotësisht aktivitetin e dyshuar të paligjshëm, për të qartësuar rolin dhe përgjegjësinë e secilit të ndaluar, si dhe për të administruar dhe vlerësuar të gjitha provat e mbledhura.
Të gjithë të përfshirët në këtë çështje janë nën hetim dhe masat e sigurisë nuk përbëjnë shpallje faji për ta.

