Edicioni i 10-të i “Za Fest” çeli siparin me një mbrëmje të dedikuar letërsisë, e organizuar në ambientet e Muzeut Historik të Shkodrës.
Në qendër të aktivitetit ishin dy autore të njohura të letërsisë shqiptare, Mimoza Ahmeti dhe Rita Petro, të cilat zhvilluan një bashkëbisedim me publikun mbi poezinë, ndikimin e saj në shoqëri dhe rrugëtimin që ka përshkuar ndër vite.
Gjatë mbrëmjes u prezantua edhe një dokumentar që risolli historinë e “Za Fest”, duke rikujtuar fillesat e festivalit në Theth dhe evolucionin e tij deri në ditët e sotme.
Aktiviteti u përmbyll me performancën muzikore të artistes Linda Rukaj, e cila krijoi një atmosferë të ngrohtë për të pranishmit. Festivali feston këtë vit 10-vjetorin e tij, ndërsa programi do të vijojë me dy netët e ardhshme në kalanë e Rozafës.

