Zjarri në Vau të Dejës
Dy banorë të zonës kanë rrëfyer momentet e frikshme të përjetuara gjatë zjarrit që përfshiu malin pranë banesave.
Njëra prej banoreve tregoi se flakët nisën rreth orës 21:30 dhe u përhapën me shpejtësi, duke mbuluar të gjithë zonën me tym.
“Kemi shtëpitë shumë pranë malit. Në pak minuta gjithçka u mbulua nga tymi dhe dukej si mjegull. Ka qenë një tmerr i vërtetë. Më pas erdhën zjarrfikësit, por unë u tremba shumë sepse isha vetëm në shtëpi,” u shpreh ajo.
Ndërkohë, një tjetër banor kërkoi që policia të hetojë ngjarjen dhe të identifikojë personin që dyshohet se e shkaktoi zjarrin.
Sipas tij, është e domosdoshme që autoritetet të zbardhin rrethanat dhe të marrin masa ndaj përgjegjësit.

