Zjarri që prej ditës së sotme ka përfshirë pyjet e Tërbunit dhe zonën e Livadh Hamzit në Pukë vijon të jetë aktiv dhe situata paraqitet shqetësuese.
Era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve, duke bërë që vatrat e izoluara gjatë ditës të riaktivizohen dhe zjarri të përparojë në drejtim të pyjeve të Tërbunit dhe Gjegjanit.
Në terren kanë punuar gjatë gjithë ditës strukturat e emergjencave, ndërsa në operacion janë angazhuar edhe efektivë të Forcave të Armatosura. Megjithatë, kushtet e vështira atmosferike e kanë bërë të vështirë kontrollin e situatës.
Në orët e mbrëmjes, situata është bërë edhe më alarmante. Flakët janë shfaqur mbi lagjen Meshurdh dhe, sipas banorëve, kanë kapërcyer rrugën duke marrë drejtim nga fshati dhe zonat e banuara.
Mësohet se automjetet zjarrfikëse nuk mund të hyjnë nga Gojani i Madh për shkak të terrenit dhe mungesës së aksesit, ndërsa për ndërhyrje mund të përdoret vetëm një rrugë e vjetër e ndërtuar dikur nga italianët.
Për shkak të erës së fortë që pritet të vijojë edhe gjatë natës, strukturat kanë dërguar një automjet në zonën e Gojanit për të monitoruar situatën dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt banesave.
Banorët ndodhen nën kërcënimin e flakëve, ndërsa terreni i vështirë dhe era e fortë po e komplikojnë ndjeshëm ndërhyrjen.



