Pas vitesh mungesë, Kisha e Shën Gjergjit në Rras të Butë, Lezhë, është rindërtuar falë angazhimit dhe kontributit të banorëve të zonës.
Objekti i kultit, me rëndësi të veçantë për historinë dhe identitetin shpirtëror të komunitetit, ishte dëmtuar dhe më pas ishte shkatërruar gjatë periudhës së komunizmit. Për dekada, prej saj kishte mbetur vetëm kujtimi.
Por banorët e Rrasit të Butë dhe Zimjave vendosën ta rikthejnë kishën aty ku kishte qenë dikur. Me kontributin e tyre, ata bënë të mundur rindërtimin e saj, duke i dhënë jetë një pjese të rëndësishme të trashëgimisë së zonës.
Sot, Kisha e Shën Gjergjit është rikthyer në komunitet, jo vetëm si një vend lutjeje, por edhe si një simbol i kujtesës, traditës dhe bashkimit të banorëve për të ruajtur trashëgiminë e tyre.

