Një zjarr masiv pyjor ka përfshirë mbi 32 mijë hektarë tokë në provincën Guadalajara në Spanjën qendrore, ndërsa zjarrfikësit vazhdojnë përpjekjet e tyre për ta vënë nën kontroll. Situata është bërë më e rëndë për shkak të një vale të re nxehtësie që po ndikon vendin.
Zjarri shpërtheu në një zonë rurale të Guadalajarës, pak më pak se dy javë pas një incidenti tragjik në jug të vendit, ku një zjarr la pas 13 të vdekur, përfshirë edhe shtetas të huaj. Deri tani, për fat të mirë, nuk ka pasur raportime për viktima ose të lënduar rëndë, megjithatë, si masë sigurie, janë evakuuar rreth 34 fshatra.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, vizitoi zonën e prekur pranë fshatit Tamajon, që ndodhet rreth dy orë në verilindje të Madridit. Ai theksoi se pasojat e ndryshimeve klimatike po bëhen gjithnjë e më evidente.
“Vit pas viti po e shohim qartë se si ndryshimet klimatike po marrin jetë dhe po shkatërrojnë pasurinë e komuniteteve tona. Kjo nuk është politikë, kjo është shkencë, janë fakte”, u shpreh Sanchez, duke i bërë thirrje forcave politike të arrijnë një marrëveshje kombëtare për të luftuar ndryshimet klimatike.
Sipas Kryeministrit, Spanja ka përjetuar tashmë 22 zjarrë të mëdhenj pyjorë këtë vit, çdo njëri prej të cilëve ka kaluar sipërfaqen e 500 hektarëve, dhe deri tani janë djegur më shumë se 100 mijë hektarë tokë.
Ministrja për Tranzicionin Ekologjik, Sara Aagesen, e quajti zjarrin në Guadalajara si një nga më të mëdhenjtë në historinë e fundit të vendit, madje edhe si më të madhin ndonjëherë në rajonin Castilla-La Mancha.
Autoritetet rajonale kanë bërë të ditur se zjarrfikësit, të ndihmuar nga avionët zjarrfikës, kanë arritur të mbrojnë shtëpitë në të gjithë 40 vendbanimet e zonës së prekur, ku 90 për qind e tyre ndodhen brenda një parku kombëtar.
Vala e nxehtësisë, e cila nisi të martën, pritet të arrijë pikun e saj gjatë mërkurës dhe të enjtes, me temperatura që pritet të arrijnë afër 40 gradë Celsius në shumë zona të brendshme dhe mbi 42 gradë në disa pjesë të Andaluzisë.

