Zjarret/ 24 vatra të raportuara, 4 mbeten aktive

Publikuar me datë:

Ministria e Mbrojtjes ka bërë publik përditësimin më të fundit mbi situatën e zjarreve në Shqipëri, duke njoftuar se gjatë ditës së sotme, 26 gusht, janë regjistruar 24 vatra zjarri në mbarë vendin.

Raporti i Ministrisë tregon se deri në orën 20:00, janë ende aktive katër vatra, ndërkohë që pesë vatra të tjera po mbikëqyren nga afër. Për përballimin e këtyre situatave janë vënë në dispozicion 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter, të cilët marrin pjesë në aksionet e shuarjes së flakëve.

Ndërhyrjet për fikjen e zjarrit po vazhdojnë në Qafën e Helmës, Bulqizë, ku zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Në këtë zonë janë angazhuar 23 forca operacionale të MZSH Bulqizë dhe strukturat e bashkisë. Autoritetet bëjnë të ditur se “nuk ka rrezik për zonat e banuara”.

Edhe në Malin e Dardhës, Librazhd, flakët kanë përfshirë pjesë të terrenit, kryesisht në shtresat e humusit dhe trungjet e dekompozuara, por “nuk raportohen rreziqe për banesat”.

Situatë e ngjashme paraqitet në Malin e Qukësit, Prrenjas, ku ekipet janë të angazhuara në shuarjen e trungjeve të rrëzuara dhe bimësisë së ulët brenda perimetrit të zjarrit. Sipas njoftimit, “nuk ka rrezik për zonat e banuara”.

Ndërkohë, në Drashovicë të Selenicës, vazhdojnë përpjekjet për të shuar zjarret që kanë përfshirë një sipërfaqe pyjore me shkurre. Në vendngjarje ndodhen një mjet zjarrfikës dhe tre efektivë të MZSH Selenicë. Edhe në këtë rast, “nuk ka rrezik për banesat”.

Ministria e Mbrojtjes thekson se në disa prej vatrave situata paraqitet e stabilizuar dhe është përmirësuar ndjeshëm.

Reshjet në Malin e Dajtit kanë ndihmuar në izolimin e vatrave të mbetura, ndërsa zona vazhdon të mbahet nën monitorim. Gjatë ditës janë angazhuar 38 forca operacionale të bashkisë dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura për ndërhyrje në terren.

Edhe në qytetin e Sarandës raportohen përmirësime. Vatra e zjarrit në kurorën e qytetit është vënë tashmë nën kontroll, falë ndërhyrjes së MZSH-ve, Policisë, FNSH-së, forcave bashkiake dhe një helikopteri të Forcave të Armatosura. Zona mbetet nën monitorim të strukturove përkatëse.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka vijuar me vëzhgimin e situatës në të gjithë territorin, duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile.

Forcat operacionale qëndrojnë të dislokuara në terren dhe janë në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme, duke pasur si objektiv kryesor mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurive të tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related