Mbrëmjen e sotme, në hyrje të qytetit të Vlorës, është zhvilluar një aksion i gjerë kontrolli nga forcat e Policisë, të cilat kanë ndaluar dhe inspektuar automjetet që lëviznin në të dyja drejtimet, duke hyrë dhe dalë nga qyteti.
Gjatë këtij operacioni, policia ka patur si synim kryesor identifikimin e personave në kërkim, kontrollin e dokumentacionit të drejtuesve dhe të mjeteve, si dhe parandalimin dhe goditjen e armëmbajtjes pa leje.
Efektivët, gjatë aksionit, kanë ndaluar automjete të ndryshme për të ushtruar verifikime të imtësishme të drejtuesve dhe të pasagjerëve, në kuadër të forcimit të sigurisë dhe evitimit të ngjarjeve kriminale.
Po ashtu, kontrollet janë përqendruar edhe në identifikimin e personave me precedentë penalë, apo të individëve të përfshirë në veprimtari të paligjshme.
Gjithashtu, është kontrolluar dokumentacioni i automjeteve për të konstatuar shkelje të mundshme ligjore.
Policia njofton se kontrollet do të vijojnë në zona të tjera të Vlorës, si pjesë e masave të ndërmarra për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.

