Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër ka vlerësuar me titullin “Honoris Causa” studiuesen italiane Luçia Nadin, për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në studimet historike dhe letrare që lidhen me Shqipërinë, veçanërisht me qytetin e Shkodrës.
Ceremonia e dorëzimit të titullit u zhvillua nga rektori Tonin Gjuraj, i cili shprehu mirënjohjen për punën shumëvjeçare të Nadinit, që prej fillimit të viteve ’90 e deri sot.
Një nga kontributet më të rëndësishme të studiueses italiane mbetet publikimi i “Statuteve të Shkodrës”, një dokument me vlera të rralla për historinë mesjetare shqiptare. Ishte pikërisht Luçia Nadin ajo që arriti të zbulojë vendndodhjen e këtij dorëshkrimi në Bibliotekën e Muzeut të Venecias dhe ta sjellë atë në botim.
Puna e saj kërkimore është shtrirë edhe në studimin e emigrimit shqiptar në rajonin e Venetos gjatë shekujve XV-XVI, të pasqyruar në librin “Shqiptarët në Venedik, mërgim e integrim 1479–1552”.
Gjithashtu, Nadin ka trajtuar edhe traditën ikonografike të Skënderbeut në anijen ceremoniale të dukëve të Venecias, të njohur si Bucintoro, si dhe rolin e klerikëve katolikë shqiptarë në territoret e Republikës së Venecias në lidhje me artin dhe kulturën e kohës.
Kjo nuk është hera e parë që Shkodra e nderon studiuesen italiane. Në vitin 2010 ajo është shpallur “Qytetare Nderi” e qytetit, ndërsa tashmë i shtohet edhe titulli akademik “Honoris Causa” nga universiteti i Shkodrës.

