Deputetja e Partisë Socialiste për qarkun Shkodër, Xhenis Çela, ka nisur serinë e takimeve me banorët në kuadër të nismës “Prania Besnike”.
Takimi i parë është zhvilluar në Njësinë Administrative Gur i Zi, ku deputetja është njohur nga afër me shqetësimet dhe problematikat e ngritura nga banorët e zonës. Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Çela ka ndarë momente nga takimi dhe ka bërë me dije se dëgjimi i qytetarëve do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.
Pas Gurit të Zi, “Prania Besnike” zhvendoset në qytetin e Shkodrës. Takimi i radhës do të zhvillohet në lagjen Xhabije, në orën 12:30, ku deputetja ka ftuar qytetarët të marrin pjesë dhe të paraqesin problematikat apo sugjerimet e tyre.
Nisma synon të krijojë një kontakt të drejtpërdrejtë me banorët dhe të mbledhë shqetësimet e tyre në terren.

