Një manovër e rrezikshme në aksin Shkodër–Theth i ka kushtuar shtrenjtë drejtuesit të një furgoni, pasi ai u kap duke lëvizur në korsinë e kundërt në një kthesë ku fushëpamja ishte e kufizuar.
Pamjet e shkeljes u publikuan në rrjetet sociale, duke bërë që Policia Rrugore e Shkodrës të nisë menjëherë verifikimin për identifikimin e automjetit dhe drejtuesit të tij.
Pas veprimeve të kryera, policia identifikoi drejtuesin, shtetasin V. B., banues në Malësinë e Madhe.
Për shkeljen e rregullave të qarkullimit, ai u gjobit me 6 mijë lekë. Por ndaj tij u morën edhe masa të tjera administrative: pezullimi i lejes së drejtimit për 6 muaj dhe zbritja e 10 pikëve nga patenta, në zbatim të nenit 141, pika 10, të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore apelon drejtuesit e automjeteve që të shmangin manovrat e rrezikshme dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit, veçanërisht në rrugët me kthesa dhe fushëpamje të kufizuar.
Qytetarët ftohen të raportojnë shkeljet e rregullave të qarkullimit në numrin pa pagesë 112.

