Të dhëna të reja janë zbuluar lidhur me vrasjen e dyfishtë që ndodhi në Livoç të Ulët, Gjilan, ku jetën e humbën Nafije Bogujevci dhe vëllai i saj, Egzon Bogujevci.
Për këtë ngjarje, i dyshuari kryesor është Valon Ramushi, bashkëshorti i Nafijes, i cili pas kryerjes së veprës penale është paraqitur vetë në polici.
Burime të publikuara bëjnë të ditur se Ramushi është aktiv në sektorin e biznesit në rajonin e Gjilanit. Ai zotëron një kompani dhe një kompleks banimi në zonën e Makreshit.
Sipas informacioneve të para nga Policia, trupi i Egzon Bogujevcit është gjetur pa jetë brenda një veture. Besohet se me të njëjtën armë është qëlluar edhe motra e tij, Nafije Bogujevci, e cila është transportuar në Emergjencën e Gjilanit pa shenja jete.
Kjo vrasje e dyfishtë ka tronditur banorët e zonës. Autoritetet policore dhe institucionet përkatëse janë ende në fazën e hetimeve për të sqaruar detajet dhe për të identifikuar motivin e kësaj ngjarjeje të rëndë.

