Voltana Ademi është mes 735 pedagogëve dhe akademikëve që kanë firmosur një deklaratë publike me pesë pika, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndalimi i dhunës policore ndaj studentëve dhe krijimi i një qeverie kujdestare.
Nisma vjen në një kohë kur protestat e studentëve në Tiranë janë shoqëruar me përplasje me Policinë dhe reagime të shumta publike. Deklarata është ndërmarrë nga Forumi për Dialog Politik dhe përfshin kërkesa për respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe uljen e tensioneve në vend.
Përveç Voltana Ademit, në listën e firmëtarëve gjenden edhe emra të njohur nga bota akademike dhe jeta publike, mes tyre Stefan Çapaliku, Fatos Tarifa, Zyhdi Teqja, Petraq Milo, Gjok Vuksani, Fatos Qerimaj, Gentian Stroni, Enkeleda Olldashi, Kozeta Bakiu, Suzana Guxholli, Areti Stringa, Enida Bozhegu, Lutfi Dervishi dhe akademiku Ardian Ndreca.
Në deklaratë, pedagogët dhe akademikët shprehin shqetësimin për dhunën e ushtruar ndaj studentëve dhe i bëjnë thirrje kreut të qeverisë të marrë parasysh kërkesat e tyre, duke kontribuar në qetësimin e situatës politike.
Një nga pikat kryesore është largimi i Edi Ramës nga detyra dhe ngritja e një qeverie kujdestare, e cila, sipas firmëtarëve, do të ndihmonte në garantimin e stabilitetit institucional.
Nënshkruesit i kërkojnë gjithashtu Policisë të ndalojë përdorimin e dhunës ndaj protestuesve, ndërsa përfaqësive diplomatike të akredituara në Tiranë u bëjnë thirrje të reagojnë për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Në dokument theksohet edhe përgjegjësia e protestuesve për të ruajtur pronën publike dhe private. Ndërkohë, qytetarët e Tiranës ftohen t’u bashkohen studentëve në protestë.
Në përfundim, pedagogët vlerësojnë rolin e të rinjve në këtë lëvizje, duke theksuar se studentët janë kthyer në zërin udhëheqës të protestës dhe se shoqëria duhet të angazhohet për t’i mbrojtur ata nga dhuna.

