“Nuk më shantazhojnë dot as ata që të shantazhuan ty në Fier. As ata nuk më shantazhojnë dot, se do të shkojnë aty ku e kanë vendin.” Kjo ishte deklarata e fortë e Elisa Spiropalit në Kuvend, gjatë përplasjes me kreun e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, më 8 tetor, në debatin për Reformën Territoriale. Një deklaratë që, përtej përplasjes politike, ngre një pyetje thelbësore: Kush e përcakton se ku e ka vendin dikush përballë drejtësisë dhe me çfarë standardi?
Duke iu referuar personave që, sipas saj kishin shantazhuar Bardhin dhe drejtues të PD-së në Fier, Spiropali la të kuptohej se ata duhet të përballen me drejtësinë. Referenca se për kë e kishte eshte e qartë, Belinda Balluku, e cila ka drejtuar fushatën socialiste në qarkun e Fierit. Por, ndërsa Spiropali flet me siguri për vendin që të tjerët duhet të zënë përballë ligjit, a është e gatshme të pranojë të njëjtin standard transparence dhe llogaridhënieje për veten?
Po sikur SPAK të kishte ekzistuar në kohën kur Elisa Spiropali drejtonte Doganat?
Spiropali drejtoi Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave nga tetori i vitit 2013. Një institucion kyç për administrimin e të ardhurave publike, kontrollin e importeve dhe zbatimin e ligjit në marrëdhëniet me bizneset. Më pas, ajo vijoi karrierën politike në poste ministrore dhe në Kuvend.
Çfarë do të ndodhte nëse sot, me instrumentet hetimore që ka SPAK-u, do të shqyrtohej me imtësi çdo vendimmarrje e periudhës kur ajo drejtonte Doganat? A do të kishte pyetje për mënyrën se si funksiononte institucioni? A do të verifikoheshin marrëdhëniet me bizneset që përfitonin nga procedurat doganore? A do të hetohej çdo dyshim konkret mbi të ardhurat pasurore të saj dhe familjes?
Të dhënat publike të deklarimeve pasurore të Elisa Spiropalit përfshijnë deklarata që nga viti 2013. Ato përmbajnë informacion mbi pasuritë, llogaritë bankare, të ardhurat dhe detyrimet financiare të deklaruara nga ajo dhe familjarët e përfshirë në deklarim.
Por nëese do të bëhej ndonjë analizë e plotë publike që të krahasojë të ardhurat e deklaruara me ndryshimet e pasurisë së saj ndër vite.
A përputhet çdo shtim pasurie me të ardhurat e ligjshme të dokumentuara? A janë të qarta burimet e financimit të pronave dhe investimeve të deklaruara nga ajo dhe bashkëshorti i saj?
Po sikur i njëjti standard të zbatohej për të gjithë?
Kur Spiropali thotë se të tjerët do të shkojnë “aty ku e kanë vendin”, a është ky një qëndrim parimor për barazinë para ligjit apo një tjetër deklaratë në luftën e brendshme politike.
A nuk duhet jetë I njëjtë standardi për çdo zyrtar, pavarësisht partisë, postit dhe afërsisë me pushtetin?
Elisa Spiropali dhe bashkëshorti i saj kanë interesa ekonomike dhe pasuri që meritojnë të shqyrtohen në raport me të ardhurat e deklaruara dhe ecurinë e tyre ndër vite. Çfarë zotëronin përpara se të merrnin pozicionet publike dhe si ka ndryshuar gjendja e tyre pas këtyre angazhimeve? Cilat janë burimet e financimit të bizneseve dhe pasurive të krijuara?
Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje me fakte dhe dokumente. Sepse, nëse drejtësia duhet të kërkojë llogari nga të gjithë, transparenca për pasurinë duhet të jetë standard edhe për ata që sot dalin në foltoren e Kuvendit dhe u tregojnë të tjerëve se ku e kanë vendin.
Kur Spiropali kërkon që të tjerët të shkojnë aty ku e kanë vendin, a është ajo e gatshme të pranojë që edhe karriera, vendimmarrjet dhe pasuria e saj t’i nënshtrohen të njëjtit standard transparence dhe verifikimi?/Northpress.tv

