Një anije turistike që transportonte 115 persona u kap nga zjarri të enjten pranë brigjeve të Fethiyes, në provincën jugperëndimore të Muglës në Turqi. Incidenti detyroi pasagjerët, mes tyre edhe fëmijë, të marrin jelekët e shpëtimit dhe të kërcejnë në det, teksa flakët përfshinë të gjithë anijen.
Njësitë e Rojës Bregdetare, bashkë me anije të tjera që ndodheshin afër, ndërhynë menjëherë për të evakuuar pasagjerët që ndodheshin në ujë. Pasi u nxorën në breg, ata iu nënshtruan kontrollit të ekipeve shëndetësore. Raportimet paraprake nuk bëjnë fjalë për të lënduar apo viktima.
Zjarri shpërtheu për arsye ende të paqarta, ndërsa anija zhvillonte një “tur blu” ditor pranë Gjirit të Katrancit, një emërtim që në Turqi përdoret për udhëtime zbavitëse me varkë përgjatë gjireve dhe limaneve të bregdetit.
Teksa flakët përshpejtonin përhapjen e tyre, pasagjerët u hodhën në ujë të pajisur me jelekë shpëtimi. Roja Bregdetare, Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë Bregdetare dhe policia detare u nisën drejt zonës së incidentit, ndërsa edhe anije të tjera iu bashkuan operacionit të shpëtimit.
Sipas raportimit të IHA, anija kishte në bord 115 persona, ndërkohë që AA bëri të ditur se ekipet e shpëtimit kishin arritur të evakuonin 107 vetë, ndërsa puna vazhdonte ende.
Flakët shkatërruan pjesën më të madhe të anijes turistike, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Më vonë, raportet thanë se anija filloi të fundosej.
Guvernatori i Distriktit të Fethiyes, Fatih Akkaya, mbërriti në vendin e ngjarjes pas incidentit dhe konfirmoi se nuk kishte të raportuar për viktima, duke shtuar se të gjithë pasagjerët ishin vendosur në siguri me ndihmën e anijeve të Rojës Bregdetare dhe mjeteve të tjera pranë.
Shkaku i zjarrit mbetet ende i panjohur dhe autoritetet kanë nisur hetimet.

