Presidenti amerikan, Donald Trump, ka theksuar se Rusia kishte mundësi të përfundonte luftën në Ukrainë që në ditën e parë të pushtimit, por një vendim ushtarak i gabuar e pengoi atë të arrinte Kievin.
Gjatë një diskutimi mbi fillimin e këtij konflikti, Trump u shpreh se forcat ruse kishin në dispozicion një numër të konsiderueshëm tankesh, të cilat po lëviznin drejt kryeqytetit ukrainas përmes një autostrade të fuqishme dhe me kushte të mira për transportin e mjeteve të rënda.
“Nëse do të kishin vazhduar në atë rrugë, do të ishin në Kiev brenda disa orëve,” tha ai, duke pretenduar se Ukraina në atë kohë nuk do të kishte mundësi t’i ndalte.
Sipas tij, një komandant rus u vendosi që trupat të kalonin përmes zonave bujqësore dhe terreneve me baltë, në vend të përdorimit të rrugës kryesore. Trump nënvizoi se reshjet e rënda të shiut disa ditë më parë kishin shkaktuar ngecjen e tankeve ruse në terren të vështirë.
Ai gjithashtu kujtoi se gjatë mandatit të tij si president, SHBA kishte mbështetur forcat ukrainase me raketat antitank Javelin, të cilat, sipas tij, shërbyen për të goditur kolonat ruse të tankeve.
“Ata thonë se jam mik me Rusinë. Nuk jam. Kam qenë shumë i ashpër ndaj Rusisë,” deklaroi 80-vjeçari, duke theksuar se ndihma ushtarake për Ukrainën luajti rol në ndalimin e avancimit rus.
Ai tha se imazhet satelitore tregonin kolona të mëdha tankesh të ndaluara për ditë të tëra, dhe se goditjet me armë antitank i shkaktuan humbje të mëdha ushtrisë ruse.
Trump e përshkroi situatën si një “gabim të tmerrshëm” nga ana e Rusisë dhe nënvizoi se shkatërrimi i tankeve ruse u dha ukrainasve besim të shtuar për të vazhduar rezistencën e tyre.
Këto deklarata të Trump vijnë në kontekstin e vazhdueshëm të diskutimeve mbi luftën në Ukrainë dhe mënyrat se si u zhvilluan javët e para të konfliktit.

