Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në kryeqytet, ku një 49-vjeçar është plagosur me thikë në rrugën “Sami Frashëri”, pranë zonës së “Petro Ninit”.
I lënduari, Kreshnik Cara, është transportuar menjëherë drejt Spitalit të Traumës, ku sipas burimeve spitalore ndodhet në sallën e operacionit dhe gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë e rëndë. Dyshohet se Cara është goditur disa herë me thikë në zonën e barkut.
Autoritetet policore kanë identifikuar tashmë autorin e dyshuar të ngjarjes dhe kanë vendosur pika kontrolli në disa zona të Tiranës për ta gjetur dhe arrestuar.
Njëkohësisht, policia po kontrollon pamjet e kamerave të sigurisë në përpjekje për të sqaruar se si ka ndodhur incidenti. Shkaqet që çuan në këtë konflikt ende nuk janë bërë të ditura.

