Tensione në protestën e studentëve, 13 të lënduar mes protestuesve, efektivëve të policisë, gazetarëve dhe kalimtarëve

Publikuar me datë:

Studentë dhe qytetarë të shumtë po vijojnë ende protestën para ambienteve të ministrisë së Arsimit. Protesta ka nisur me thirrje dhe tensione dhe po vazhdon me ndezjen e disa zjarreve para godinës.

Lidhur me incidentet e ndodhura policia ka shoqëruar 23 persona. Ndërkaq, protesta ka pasur dhe të lënduar për shkak të përplasjeve fizike dhe mjete te ndryshme që janë hedhur. 6 efektivë deri më tani raportohet që kanë marrë ndihmë mjekësore.

Fasada e Ministrisë së Arsimit gjatë ditës së sotme është lyer me ngjyrë të kuqe dhe me vezë.  Ata kanë hedhur sende, tullumbace me ujë dhe kapsolla në drejtim të godinës.Policia gjithashtu pas nisjes së protestës ka shtuar forcat dhe efektivët.

“Ministria e krimit”, “Policia e krimit”, “Ju erdhi fundi” janë disa nga thirrjet e protestuesve.

Protestuesit gjithashtu kanë shkulur edhe kangjellat në rrugë. Protesta ka nisur në orën 14:00, teksa nuk dihet sesa do të zgjasë. Ata theksojnë se janë ngritur në protestë për të ngritur zërin kundër problematikave që prekin të rinjtë në arsim.

Lajm në përditësim…

Protesta në Tiranë, ambasada e SHBA-së paralajmëron shtetasit e vet: Mund të zgjerohet në ndërtesat qeveritare

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka lëshuar një njoftim për qytetarët amerikanë lidhur me protestën që po zhvillohet mbrëmjen e kësaj të marte në Rrugën e Durrësit. Ambasada paralajmëron se tubimi është përshkallëzuar në dhunë dhe u bën thirrje shtetasve amerikanë të tregojnë kujdes dhe të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat.

Në njoftimin e saj, ambasada bën me dije se protesta, e zhvilluar pranë Sheshit Skënderbej, është shoqëruar me hedhje gurësh dhe mund të përhapet edhe në zonat përreth, përfshirë blloqet dhe ndërtesat qeveritare.

Sipas paralajmërimit, situata mund të sjellë shtim të pranisë policore, ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje të rrugëve.

“Një protestë në Rrugën e Durrësit, ngjitur me Sheshin Skënderbej, është duke vazhduar aktualisht dhe është shndërruar në të dhunshme për shkak të hedhjes së gurëve. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht prani të shtuar të policisë, ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Qytetarëve amerikanë u kërkohet të tregojnë vigjilencë, t’i japin përparësi sigurisë personale dhe të ndjekin zhvillimet përmes mediave lokale.

“Ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit”, përfundon njoftimi i ambasadës.

Përplasje të forta në protestën në Tiranë, policia shpërndan protestuesit me gaz lotsjellës, dhjetëra të shoqëruar

Protesta e zhvilluar këtë të martë në Tiranë është përshkallëzuar rreth orës 20:00, pas afro gjashtë orësh tubim dhe përplasjeje mes protestuesve dhe policisë. Efektivët kanë ndërhyrë me autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës, ndërsa raportohet për dhjetëra persona të shoqëruar.

Protesta nisi rreth orës 14:00, fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit, por më pas u shtri edhe në zona të tjera, veçanërisht përgjatë Rrugës së Durrësit, ku u regjistruan incidente dhe akte dhune.

Pas disa orësh qëndrimi në rrugë, situata u tensionua ndjeshëm, duke sjellë ndërhyrjen e forcave të policisë për shpërndarjen e protestuesve.

Më herët gjatë protestës, protestuesit ndezën disa vatra zjarri në rrugë, pasi dëmtuan një filial të institucionit financiar.

Nga ambientet e biznesit u nxorën mobilie dhe sende të tjera, të cilave protestuesit u vunë flakën në mes të rrugës.

Përshkallëzimi i situatës vijoi deri në mbrëmje, kur policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për të shpërndarë turmën dhe për të rivendosur rendin.

Ndërkohë, dhjetëra persona janë shoqëruar nga policia për veprime të mëtejshme procedurale. Situata u përshkallëzua pas disa orësh proteste, e cila u shoqërua me dëme materiale dhe përplasje të dhunshme.

Protesta me tensione në Tiranë, MSH: Në spitale kanë marrë ndihmë mjekësore protestues, policë dhe gazetarë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bëri se gjatë ditës së sotme kanë marrë ndihmë mjekësore protestues, efektivë policie, përfaqësues të medias dhe kalimtarë.

Sipas MSH, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit. Pas konsultave me mjekët, dy prej tyre janë larguar nga spitali, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet nga stafi i urgjencës.

Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor edhe dy përfaqësuese të medias. Pas ekzaminimeve dhe konsultave përkatëse, ato janë larguar me këshillën e mjekut, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.

Gjashtë efektivë të Policisë, të raportuar me dëmtime nga mjete të forta, kryesisht në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme, kanë marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor, bën me dije Ministria e Shëndetësisë.

Të gjashtë efektivët janë larguar nga spitali me këshillën e mjekut, jashtë rrezikut për jetën.

Për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy kalimtarë të cilët kanë qenë në zonën ku u zhvillua protesta.

Njëri prej tyre është shtruar në spital, ku do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e stafit mjekësor, ndërsa personi tjetër po mbahet në monitorim nga mjekët.

Avokati i Popullit për protestën e sotme: Kanë nisur hetimet për përdorimin e forcës nga policia

Avokati i Popullit ka reaguar lidhur me protestën e sotme para Ministrisë së Arsimit.

Në një njoftim, ai thekson se ka nisur një hetim administrativ lidhur me përdorimin e forcës nga Policia e Shtetit gjatë protestës së zhvilluar sot para Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Gjithashtu, institucioni bën të ditur se po vlerëson nëse ndërhyrja e policisë ka qenë e domosdoshme dhe proporcionale.

Avokati i Popullit u ka bërë gjithashtu thirrje qytetarëve që pretendojnë se u janë shkelur të drejtat gjatë protestës, t’i drejtohen institucionit përmes një ankese individuale.

Demo reagon për protestën: Gjashtë efektivë të plagosur, dhuna nuk justifikohet

Ministri i Brendshëm Ervin Demo, ka reguar lidhur me situatën e protestës së zhvilluar sot para Ministrisë së Arsimit.

Ai ka dënuar ashpër goditjen e bërë ndaj efektikvëve të policisë, ku shprehet se këta të fundit kanë qenë në krye të detyrës.

Demo shton se dhuna është e pajustifikueshme dhe ënnvizon se Policia do vijojë detyrën e saj për të garantuar rendin dhe sigurinë.

“Gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur ndërsa kryenin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë. E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar.

U bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë, dhuna nuk justifikohet.

U uroj shërim të shpejtë efektivëve të plagosur. Ata dhe familjet e tyre kanë mbështetjen dhe solidaritetin tim të plotë.

Policia e Shtetit do të vijojë të përmbushë detyrën e saj për garantimin e rendit dhe sigurisë, duke respektuar të drejtën për protestë paqësore dhe duke vepruar me profesionalizëm, përmbajtje dhe në përputhje me ligjin.

Në këto momente, përgjegjësia e secilit është të kontribuojë në uljen e tensioneve”, tha Ministri i Brendshëm.

Përplasjet te Ministria e Arsimit, reagon policia: 23 persona të shoqëruar, 6 efektivë dhe një gazetare të lënduar

Policia e Shtetit ka reaguar pas përplasjeve të dhunshme gjatë tubimit të zhvilluar mesditën e sotme pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Sipas policisë, 23 persona janë shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa si pasojë e incidenteve janë lënduar gjashtë efektivë të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe një gazetare. Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sipas policisë, një grup pjesëmarrësish kanë ndërmarrë veprime të dhunshme, duke dëmtuar fillimisht rrethimin e jashtëm të godinës dhe më pas portën hyrëse, me qëllim hyrjen në oborrin e institucionit. Gjithashtu, ata dyshohet se kanë thyer dhe dëmtuar me pllaka guri dhe sende të forta xhamat dhe fasadën e ndërtesës.

Policia pretendon se, pavarësisht thirrjeve të përsëritura për ndalimin e sulmit dhe largimin nga oborri i Ministrisë, personat e përfshirë kanë vijuar veprimet e dhunshme, duke goditur efektivët me molotovë, kapsolla, gurë dhe sende të forta.

“Në këto kushte, në përputhje me ligjet në fuqi dhe procedurat standarde të punës, strukturat e Policisë kanë ndërhyrë në mënyrë proporcionale për neutralizimin e autorëve të këtyre veprimeve dhe rivendosjen e rendit.

Njëkohësisht, kanë shoqëruar 23 prej tyre për veprime të mëtejshme procedurale.

Si pasojë e sulmit nga persona të maskuar, pjesëmarrës në protestë, janë lënduar 6 punonjës policie të Forcës Kombëtare të Sigurisë, si dhe një shtetase, gazetare. Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën”, bëhet me dije në njoftimin e policisë.

Protestuesit rikthehen para Ministrisë së Arsimit, qëllojnë me gurë dhe kapsollë efektivët e policisë

Qytetarë të shumtë janë rikthyer sërish për protestën e nisur që prej orës 14:00 para Ministrisë së Arsimit, pasi ata u shpërndanë nga efektivët e policisë dhe autobotit me ujë.

Efektivët të shumtë ndodhen ende në terrenpasi qytetarët janë rikthyer me goditje me kapsollë dhe gurë ndaj policisë.

Deri më tani janë shoqëruar në polici disa protestues, ku ende nuk është bërë e ditur numri i saktë i tyre. Mësohet së policia sërish ka ndërhyrë me autobotin me ujë ndërsa

Ekspertët e kriminalistikës në Ministrinë e Arsimit, nisin mbledhjen e provave

Ekspertët e kriminalistikës kanë mbërritur pranë godinës së Ministrisë së Arsimit, ku po fiksojnë provat në zonat ku disa protestues sulmuan ndërtesën me mjete të forta, vezë dhe pllakat e trotuarit.

Ndërkohë, policia ka krijuar një perimetër sigurie pranë ministrisë. Siç shihet edhe në fotot e siguruara nga Euronews, rruga përpara kësaj godine është mbushur me pllaka trotuari, të cilat u përdorën gjatë sulmit nga protestuesit.

Kujtojmë se mesditën e kësaj të marte, një grup protestuesish u mblodhën para Ministrisë së Arsimit, ku disa prej tyre ndërmorën sulme ndaj godinës. Më pas, forcat e policisë i zmbrapsën protestuesit duke përdorur autobotet me ujë dhe gaz lotsjellës.

Përplasja me studentët, efektivët e policisë të lënduar nga protesta, pësuan djegie në sy

Përplasjet mes policisë dhe studentëve nga protesta e zhvilluar para Ministrisë së Arsimit ka sjellë edhe persona të lënduar për shkak të goditjeve fizike.

Mes tyre ka pasur edhe efektivë të policisë të cilët janë shoqëruar me ambulancë pasi kanë pwsuar djegie të syve nga hedhja e mjeteve të ndryshme.

Ditën e sotme është qëlluar me vezë, me gurë me bidon me ujë në drejtim të instiucioneve çfarë solli dhe ndërhyrjen e uniformave blu.

Nga ana tjetër, efektivë të tjerë janë të pozicionuar para Ministrisë së Arsimit, ndërsa në hyrje të Rrugës së Durrësit ndodhet ende autoboti me ujë.

Edhe pse ka pasur shpërndarje të tyre, ka ende grumbullime të qytetarëve që janë të vendosur të protestojnë. Gjatë zhvillimit të kësaj proteste policia ka shoqëruar disa persona, ku mes tyre shihen edhe persona të maskuar.

Policia nis shoqërimet pas përplasjeve fizike, shoqërohen disa protestues

Studentë dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të martë para ambienteve të ministrisë së Arsimit në një protestë të njoftuar prej ditësh.

Gjatë zhvillimit të kësaj proteste policia ka shoqëruar disa persona, ku mes tyre shihen edhe persona të maskuar. Gjatë zhvillimit të kësaj proteste policia ka shoqëruar disa persona, ku mes tyre shihen edhe persona të maskuar. Për shkak tërezistencës së studentëve, efektivët e policisë kanë neutralizuar dhe marrë me forcë disa nga protestuesit më aktivë për t’i shoqëruar drejt komisariateve.

Për shkak të tensioneve dhe përplasjeve fizike, policia ka përdorur autobotin me ujë për të shëprndarë qytetarët.

Përplasje të dhunshme te Ministria e Arsimit, policia ndërhyn me autobot me uje për të shpërndarë protesuesit

Eshtë tensinuar situata para Ministrisë së Arsimit. Polcia ka përdorur autobotin me ujë për të shpërndarë protestuesit.

Tenionet u përshkallëzuan pasi protestuesit shkulën kangjellat e hekurta që ndodheshin në trotuar dhe tullat, duke i hedhur në drejtim të godinës dhe duke thyer xhamat e dritareve.

Studentët lyejnë me bojë të kuqe muret e Ministrisë së Arsimit, shkulin edhe kangjellat në rrugë

Fasada e Ministrisë së Arsimit është lyer me ngjyrë të kuqe dhe me vezë. Studentët dhe qytetarë të shumtë prej disa minutash janë mbledhur para ministrisë së Arsimit teksa vijojnë të protestojnë.

Ata kanë hedhur sende, tullumbace me ujë dhe kapsolla në drejtim të godinës. Deri tani nuk ka patur përplasje me policinë teksa dhjetëra efektivë ndodhen në terren. Policia gjithashtu pas nisjes së protestës ka shtuar forcat dhe efektivët.

“Ministria e krimit”, “Policia e krimit”, “Ju erdhi fundi” janë disa nga thirrjet e protestuesve.

Protestuesit gjithashtu kanë shkulur edhe kangjellat në rrugë.

Nis protesta, studentët hedhin sende në drejtim të Ministrisë së Arsimit

Ka nisur prej disa minutash protesta para Ministrisë së Arsimit, teksa studentët kanë hedhur sende në drejtim të godinës. Gazetarja e Euronews Albania, Enkelejda Mema ka bërë me dije se në drejtim të ministrisë janë hedhur tullumbace me ujë, vezë, kapsolla dhe sende të tjera.

Protestuesit gjithashtu kanë shkruar grafite në muret e ministrisë: “Ju erdhi fundi”, “Turp” etj. Siç shihet edhe nga pamjet, prania e protestuesve është shtuar teksa herë pas here hedhin sërish sende ndaj ministrisë.

Me pankarta në duar, nis grumbullimi i studentëve para ministrisë së Arsimit (VIDEO)

Për pak minuta pritet të nisë protesta e njoftuar e studentëve para Ministrisë së Arsimit teksa ka nisur grumbullimi i të rinjve dhe qytetarëve. Siç shihet edhe nga pamjet nga vendi i ngjarjes, të rinjtë shihen me pankarta në duar teksa bëjnë thirrje kundër qeverisë.

Protestues janë grumbulluar edhe para Kryeministrisë teksa ende nuk dihet nëse ata do të bashkohen me studentët para Ministrisë së Arsimit apo do të jenë dy tubime në dy lokacione.

Policia gjithashtu është mobilizuar dhe ka marrë masa. Forca të shumta të policisë ndodhen në terren, duke rrethuar institucionin e arsimit.

Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit, policia ‘blindon’ zonën! Dhjetëra efektivë në terren (VIDEO)

Pak para nisjes së protestës së studentëve dhe të rinjve, policia është mobilizuar dhe ka marrë masa përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Protesta është thirrur të nisë në orën 14:00, teksa forca të shumta të policisë ndodhen në terren, duke rrethuar institucionin e arsimit.

Momentalisht qarkullimi në këtë zonë nuk është bllokuar ende teksa policia ndodhet në gadishmëri për mbarëvajtjen e tubimit dhe sigurisë së qytetarëve.

Organizatorët u kanë bërë thirrje studentëve nga të gjitha qytetet e vendit dhe qytetarëve të tjerë që t’i bashkohen tubimit për të ngritur zërin kundër problematikave që prekin të rinjtë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Makina përplas biçikletën në Berat, ndërron jetë 63-vjeçari. Plagoset dhe një këmbësore

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar paraditen e...

U arrestuan gjatë protestës, gjykata liron 12 protestues

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm...