Media publike zvicerane Schweizer Radio und Fernsehen (SRF) i ka kushtuar një artikull kryeministrit shqiptar Edi Rama, duke vënë në kontrast protestat që zhvillohen në Shqipëri kundër tij me pjesëmarrjen e tij si artist në panairin prestigjioz të artit Art Basel në Zvicër.
Sipas SRF, ndërsa në Shqipëri protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës, në Bazel ai është i pranishëm si artist, me një nga veprat e tij të ekspozuara në kuadër të programit “Art Parcours”, pranë urës historike Mittlere Brücke në qendër të qytetit.
Artikulli ndalet edhe te debatet e shkaktuara nga udhëtimi i Ramës në Zvicër.
Mediat dhe rrjetet sociale në Shqipëri kanë shpërndarë një video ku kryeministri shfaqet në një aktivitet në Bazel, duke nxitur reagime dhe kritika nga kundërshtarët e tij politikë.
Në reagimin e cituar nga SRF, Rama ka sqaruar se udhëtimin e ka financuar vetë dhe se ka marrë pjesë në aktivitet si person privat, i ftuar nga organizatorët e Art Basel.
“Gjatë pothuajse tre dekadave në shërbimin publik, nuk kam udhëtuar kurrë privatisht me para shtetërore”, citohet të ketë deklaruar ai.
Media zvicerane rikujton se përpara se të hynte në politikë, Rama ka studiuar pikturë në Tiranë dhe ka ushtruar aktivitet artistik edhe në Francë, duke e bërë artin një pjesë të rëndësishme të identitetit të tij publik.
Korrespondenti i SRF për çështjet ndërkombëtare, Janis Fahrländer, vlerëson se Rama vazhdon të kultivojë imazhin e politikanit jokonformist dhe artistit me shpirt të lirë, por thekson se ky imazh po përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha pas më shumë se 12 vitesh në pushtet.
Sipas artikullit, kryeministri shqiptar përballet me kritika në rritje nga kundërshtarët e tij, të cilët e akuzojnë për tendenca autoritare dhe për presione ndaj institucioneve të drejtësisë dhe mediave.
Nga ana tjetër, organizatorët e Art Basel kanë sqaruar se pjesëmarrja e Ramës në ekspozitë lidhet ekskluzivisht me aktivitetin e tij artistik dhe nuk përbën mbështetje apo qëndrim politik ndaj zhvillimeve në Shqipëri.
“Pjesëmarrja e tij nuk duhet të interpretohet si një qëndrim i Art Basel ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri ose gjetkë”, ka deklaruar një zëdhënëse e panairit.
Art Basel ka bërë të ditur gjithashtu se nuk parashikon masa të veçanta sigurie për veprën e ekspozuar, pavarësisht faktit se ajo ndodhet në një hapësirë publike jashtë ambienteve kryesore të panairit.

