Ted Kopliku ka reaguar me tone ironike ndaj vlerësimeve të marra nga Bashkia Shkodër, duke vënë në dyshim atë që e cilëson si “transformim të qytetit”.
Në një status publik, Kopliku iu referua titujve të fituar nga Bashkia Shkodër: “City of Sports & Adventures 2026”, “TEA’s Most Desirable Local Event 2026” dhe “TEA’s Most Desirable Art Fest 2026”, ndërsa ironizoi kostot e organizimit të eventeve dhe prioritetet e pushtetit vendor.
Anëtari i Kryesisë së PD-së kritikoi edhe deklaratat për “transformimin e qytetit”, duke thënë se Shkodra ka nevojë për investime reale, mundësi për të rinjtë dhe rritje të cilësisë së jetesës, e jo vetëm evente dhe dekorata simbolike.
Në fund të reagimit, Kopliku u shpreh se shpreson që në të ardhmen qyteti të vlerësohet për tërheqjen e investimeve të huaja, zhvillimin e start-up-eve dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Postimi i plotë:
U vlerësuam për transformimin e qytetit?
Bashkia Shkodër u nderua me titujt:
“City of Sports & Adventures 2026”
“TEA’s Most Desirable Local Event 2026”
“TEA’s Most Desirable Art Fest 2026”
Në fjalën e tij përshëndetëse Kryetari i GP u shpreh se janë provë e transformimit të qytetit. Tre çmimet i referohen aventurës, festës dhe eventeve.
Duke ju referuar kostove të këtyre çmimeve, me 16-fishimin e, fjala bjen, kostove të organizimit të Karnavaleve (që edhe në eventin e ndarjes së çmimeve shfaqen si referencë) i bie që fituam çmimin e qytetit të Cirkut pa Bukë.
Urime Kryetar!
Këtë herë nuk u dekorove për gozhdën e parë që thonë se ke ngulur në qytet, as për gropën e fundit të mbyllur, megjithatë e rëndësishme është të jesh i pari. Shkodrës i takon.
Herën tjetër, shpresoj, që pasardhësi yt të dekorohet për tërheqjen e investimeve të huaja, për start-up-et dhe mundësitë që i jepen të rinjëve, për nivel shërbimesh dhe mbi të gjitha për atë që qytetet vlerësohen : cilësi jetese.
Uroj që të vijë dita të flasim për transformime, me po të njejtën buzëqeshje pozitive, që ju e keni talent, por atëbotë të jetë e sinqertë dhe të ketë kuptim.

