Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, ka deklaruar se një dron pothuajse ka goditur aeroplanin me të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po udhëtonte nga Moldavia në drejtim të Oslos, raporton transmetuesi publik norvegjez “NRK”.
Zelensky mbërriti në kryeqytetin norvegjez të martën në mbrëmje për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të mbretit të ndjerë të Norvegjisë, Harald V.
“Avioni me të cilin po udhëtonte gati sa nuk u godit nga një dron kur po ngrihej nga Moldavia”, tha Store. “Ky është realiteti në të cilin ai jeton”.
Store nuk specifikoi se nga ka ardhur informacioni apo sa afër avionit ishte droni në momentin e incidentit.
Gjatë vizitës në Oslo, Zelensky zhvilloi një takim me kryeministrin Store, ku të dy udhëheqësit u bashkuan me zyrtarë të industrisë së mbrojtjes për të diskutuar ngritjen e një sistemi të ri evropian të mbrojtjes kundër raketave balistike, të njohur si FREYJA.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zelensky theksoi se biseda u fokusua te ndarja e detyrimeve ndërmjet institucioneve shtetërore dhe kompanive të mbrojtjes, si dhe dakordimi për hapat e nevojshëm për të arritur rezultatet e para konkrete të projektit.
“Ne presim të shohim rezultatet e para praktike. Jam mirënjohës ndaj Norvegjisë për organizimin e këtij takimi. Falënderoj partnerët tanë për gatishmërinë për të punuar së bashku. Mbrojtja e qiejve të Evropës është përgjegjësi e përbashkët e jona”, tha presidenti ukrainas.
Këto deklarata erdhën në një kohë kur zyrtarët ukrainas njoftuan se të paktën tetë persona humbën jetën të mërkurën në sulmet ruse, përfshirë zona përgjatë kufirit me Moldavinë dhe në juglindje të Ukrainës.
Pushtimi i plotë rus mbi Ukrainën nisi në shkurt të vitit 2022. Javën e kaluar, negociatorë nga Shtetet e Bashkuara zhvilluan bisedime në Moskë dhe Kiev për të kërkuar një zgjidhje paqësore të konfliktit.

