Një aksident i rëndë hekurudhor ndodhi të mërkurën në mëngjes, më 9 shtator, në Poloni, kur një tren u përplas me një betoniere duke dalë nga shinat. Ngjarja u shoqërua me vdekjen e të paktën një personi dhe lëndimin e 20 të tjerëve, prej të cilëve katër janë në gjendje kritike.
Sipas burimeve të mediave lokale, treni po udhëtonte nga Lublini në lindje drejt Szczecinit në veriperëndim të vendit dhe u përplas me një automjet pranë zonës Sokolniki Suche, në rajonin e Przysuchës, rreth 100 kilometra në jug të Varshavës. Aksidenti u raportua rreth orës 11:25.
Treni “Koziołek” doli nga shinat dhe u shtri në anë, duke zënë edhe shinën tjetër. Disa prej vagonave u dëmtuan rëndë dhe u përmbysën pjesërisht. Kompania hekurudhore PKP Intercity njoftoi se treni kishte gjashtë vagona, një lokomotivë dhe transportonte rreth 120 pasagjerë.
Sipas autoriteteve policore, ndër të plagosurit në gjendje të rëndë janë shoferi i betonieres dhe mekaniku i trenit. Ky i fundit mbeti i bllokuar në kabinë, por, siç bëri të ditur një zëdhënës i zjarrfikësve për Interia, u nxor nga ekipi i zjarrfikësve pas ndërhyrjes së tyre.
Në vendin e ngjarjes u mobilizuan dy helikopterë shpëtimi dhe afro 30 brigada zjarrfikëse për të asistuar të lënduarit dhe për të menaxhuar situatën.
Menaxheri i infrastrukturës hekurudhore PKP Polskie Linie Kolejowe deklaroi se lëvizja e trenave në linjën 22, mes Wolanow dhe Przysucha, është ndalur përkohësisht si pasojë e aksidentit.

