Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka reaguar ndaj urdhrit për shkarkimin e drejtorëve, duke e cilësuar si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë politike të kryeministrit Rama.
Në një status në rrjetet sociale, Spahia akuzon Ramën se po përpiqet të sakrifikojë vartësit për të shpëtuar pozitat e tij, ndërsa e konsideron administratën publike të zhytur në korrupsion.
Sipas Spahisë, shkarkimi i drejtorëve nuk mund të sjellë ndryshim për sa kohë në krye të qeverisë mbetet Edi Rama, të cilin e cilëson si arkitektin e kriminalizimit të administratës publike.
Reagimi i plotë:
Urdhri për të shkarkuar drejtorët në bllok është pranimi i dështimit total dhe kolapsit të shtetit kriminal të Edvin Ramës.
Të bësh kurban vartësit hajdutë për të shpëtuar karrigen tënde është njëlloj si të ndërrosh perdet kur shtëpia po të shkrumbohet nga zjarri.
Një tentativë mjerane dhe qesharake për të arnuar një administratë të kalbur, duke u fshehur pas gishtit e duke bërë sikur i vetmi njeri pa faj në këtë vend është ai që i emëroi, i mbrojti dhe i përdori ata drejtorë. Ka dalur duke kërkuar emra gjithandej por nuk gjen figura të pakonsumuara brenda organizatës që quan parti. E pamundur të gjejë një johajdut në PS!
Për sa kohë nuk ikën Edi Rama, shteti i maskave dhe shkopinjve i korruptuar në palcë nuk ka për të ndryshuar kurrë.
E vetmja zgjidhje për këtë shtet të rrënuar nuk është shkarkimi i cubave të bindur, por DORËHEQJA E MENJËHERSHME e kreut të narko qeverisë, i cili është arkitekti i kriminalizimit të administratës publike.
Ikja e tij është kushti i vetëm për të shpëtuar vendin!
#mestudentët

