Një histori 14-vjeçare në transportin urban të Shkodrës, e ndërtuar me investime, kredi bankare dhe sakrifica familjare, po shkon drejt fundit, ndërsa Bashkia Shkodër duket se ka zgjedhur t’ia besojë shërbimin një operatori tjetër. Në qendër të kësaj çështjeje është AD Public Transport, kompania e familjes Dervishi, e cila u skualifikua nga gara dhe më pas iu refuzua ankimi. Në anën tjetër, sipas informacioneve të Northpress, në këtë histori ngrihen dyshime serioze për favorizimin e kompanisë Meni-Ergi SHPK, me pronar Ilir Mani, përmes një procesi që ka lënë pas pikëpyetje të shumta.
Benet Beci dhe Ermira Teliti janë emrat që përmenden në këto pretendime për favorizim. Pyetja që kërkon përgjigje është e drejtpërdrejtë: A po përdoret pushteti vendor për të favorizuar një operator tjetër, duke lënë jashtë loje kompaninë që ka ofruar shërbimin për vite me radhë?
Në vend që të vlerësohej historiku i një kompanie që ka kontribuar prej vitesh në transportin e qytetit, familja Dervishi pretendon se është përballur me një sërë vendimesh që e kanë rënduar ekonomikisht dhe që kulmuan me skualifikimin nga gara për shërbimin urban.
Nga tre breza në transport, te përjashtimi nga gara
Historia e familjes Dervishi në transportin e pasagjerëve nis me Muharrem Dervishin, një prej shoferëve të parë të transportit publik në Shkodër gjatë periudhës së komunizmit. Traditën e vijuan djemtë e tij, Flamur dhe Afrim Dervishi, të cilët operuan në linja turistike drejt Europës dhe në linjën Shkodër–Tiranë–Shkodër.
Në vitin 2004, familja hapi linjën e autobusëve Shkodër–Torino, të cilën e operoi për 11 vjet. Më pas, në vitin 2012, kur transporti urban kaloi nga administrimi shtetëror te operatorët privatë, Afrim Dervishi hyri në garë duke investuar kursimet e familjes dhe duke marrë kredi bankare.
Sipas familjes, pas vitit 2015, kur në krye të Bashkisë Shkodër erdhi Voltana Ademi, mbështetja financiare dhe logjistike për shërbimin u ndërpre, duke e vështirësuar ndjeshëm aktivitetin. Pas vdekjes së Afrim Dervishit në vitin 2020, përgjegjësinë e morën djemtë e tij, Melidion dhe Nelson Dervishi.
Pavarësisht vështirësive, familja pretendon se vijoi ta mbante shërbimin në funksion, duke përballuar kostot dhe detyrimet financiare.
Rasti ngre gjithashtu pikëpyetje dhe deshmon pabesi nga ana e Benet Becit ndaj njerëzve që i kanë qëndruar pranë dhe e kanë mbështetur ndër vite. Nga pritshmëritë për përmirësimin e shërbimit, te përballja me vendime që e kanë rënduar gjithnjë e më shumë aktivitetin, kjo histori shihet si një tjetër shembull i mënyrës se si Beci po i trajton marrëdhëniet me ata që i kanë dhënë mbështetje gjatë këtyre tre viteve.
A është kjo mënyra se si shpërblehen ata që kanë kontribuar dhe i kanë besuar drejtimit të tij gjatë këtyre tre viteve në krye të Bashkisë Shkodër?
Favorizimi Beci-Teliti, linja u devijua për tre vjet
Në vitin 2020, familja Dervishi zhvilloi një takim me Benet Becin, asokohe kandidat për deputet, ku u diskutuan problematikat e transportit urban dhe mundësitë për përmirësimin e shërbimit.
Por, pas zgjedhjes së Becit në krye të Bashkisë Shkodër në vitin 2023, situata nuk u përmirësua. Përkundrazi, linja e transportit u devijua nga aksi kryesor ku kishte qarkulluar ndër vite drejt një aksi dytësor, me argumentin se ndryshimi do të ishte i përkohshëm. Ky devijim zgjati rreth tre vjet, duke ndikuar drejtpërdrejt te numri i pasagjerëve dhe të ardhurat e kompanisë.
Pavarësisht kësaj situate, AD Public Transport vazhdoi të përmbushte detyrimet dhe të ofronte shërbime transporti sa herë që kërkohej nga Bashkia.
Tashmë, me procesin e ri të konkurrimit dhe favorizimin e Meni-Ergi SHPK, lindin pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si është trajtuar operatori ekzistues dhe mbi arsyet që çuan në përjashtimin e tij.
I kërkuan të punonte me shpenzimet e veta, pastaj e skualifikuan
Më 23 mars 2026, kryebashkiaku Benet Beci i kërkoi kompanisë të realizonte numrin e plotë të udhëtimeve të përcaktuara, me shpenzimet e veta, në mënyrë që të monitoroheshin shërbimi dhe kostot për planifikimin e subvencionimit.
Familja thotë se i përballoi vetë këto shpenzime deri në gusht 2026, me shpresën se pas monitorimit do të krijohej mundësia për rimëkëmbjen e aktivitetit.
Por procedura e parë përfundoi me anulimin e konkursit, pas një mosmarrëveshjeje mbi afatin e plotësimit të dokumentacionit. Familja njoftimin për dokumentet shtesë e mori më 19 gusht, ndërsa kur u paraqit për t’i dorëzuar më 28 gusht, u informua se afati kishte përfunduar një ditë më parë.
Në konkursin e dytë, AD Public Transport përgatiti dokumentacionin dhe një kontratë bashkëpunimi me një operator tjetër të transportit publik, me qëllim përmbushjen e kërkesave për përvojën dhe disponueshmërinë e autobusëve.
Dokumentet u dorëzuan më 1 tetor 2026. Por vetëm katër ditë më vonë, më 5 tetor, komisioni vendosi skualifikimin e kompanisë, me argumentin se nuk dispononte mjete në pronësi ose në huapërdorje.
Familja shprehet se kontrata e bashkëpunimit nuk u mor në konsideratë. Më 7 tetor depozitoi ankim pranë Bashkisë Shkodër, por më 13 tetor komisioni vendosi ta refuzojë.
Pse nuk u mor në konsideratë kontrata e bashkëpunimit? A u zbatuan të njëjtat kritere për të gjithë operatorët? Dhe mbi çfarë baze u vlerësua kompania që pritet të marrë shërbimin?
35 milionë lekë borxhe, ndërsa një operator tjetër pritet të marrë shërbimin
Pas vitesh investimesh dhe përpjekjesh për të mbajtur aktivitetin në këmbë, familja Dervishi deklaron se përballet me rreth 35 milionë lekë të reja detyrime financiare. Subvencionimi i pritshëm shihej si një mundësi për të shlyer gradualisht detyrimet dhe për të rikthyer shërbimin në kushte më të mira.
Por, përjashtimi nga gara rrezikon t’i lërë familjes barrën e borxheve, ndërsa një operator tjetër të përfitojë nga vazhdimi i shërbimit dhe mbështetja e parashikuar nga Bashkia.
Në qendër të pretendimeve është Meni-Ergi SHPK, me pronar Ilir Mani, për të cilën burimet e Northpress ngrenë dyshime se po favorizohet në këtë proces.
Çështja ngre një pikëpyetje të madhe mbi mënyrën se si Bashkia Shkodër administron shërbimet publike.
A po vendoset në bazë të kritereve të transparencës dhe konkurrencës, apo po krijohen kushte që një operator të përjashtohet dhe një tjetër të përfitojë?
Northpress do të kërkojë sqarime nga Benet Beci, Ermira Teliti dhe Bashkia Shkodër për procedurën e konkurrimit, arsyet e skualifikimit të AD Public Transport dhe pretendimet për favorizimin e Meni-Ergi SHPK.
Për një familje që pretendon se ka investuar për dekada në transportin e pasagjerëve, çështja nuk është vetëm humbja e një gare. Është nëse kontributi i saj dhe e drejta për një konkurrim të barabartë janë marrë seriozisht nga institucionet që duhet të garantojnë transparencën dhe interesin public, në këtë rast nga Bashkia Shkodër./Northpress.tv

