Shqipëria e humb “kurorën” e rritjes më të lartë të netqëndrimeve turistike në Europë

Publikuar me datë:

Që prej pandemisë, Shqipëria kryesoi Europën për rritjen e lartë të netqëndrimeve të turistëve, teksa ajo u bë një destinacion në lulëzim turistik.

Por, të dhënat e fundit të publikuara nga Eurostat për tremujorin e parë të këtij viti tregojnë se Shqipëria e ka humbur këtë “kurorë”, megjithatë mbetet sërish ndër vendet me rritjen më të shpejtë.

Sipas Eurostat, për tremujorin e parë, netqëndrimet në Shqipëri, si të turistëve të brendshëm ashtu dhe atyre ndërkombëtarë u rritën me 11.2%, duke u ngadalësuar ndjeshëm në krahasim me zgjerimin prej 30% që u shënua në 2025-n, me një diferencë të lartë me vendet e tjera.

Gjithsesi, Shqipëria vijon të jetë ndër vendet me rritjen më të lartë, duke qenë e dyta pas Irlandës, që ka marrë kurorën këtë vit me 35.3%. Në rajon, Mali i Zi ka tendencë negative (-2.4%), po ashtu dhe Kosova (-3.9%), ndërsa ecuri më pozitive ka parë Serbia (6.5%).

Sipas Eurostat, netqëndrimet e turistëve vendas në Shqipëri u rritën me ritme më të shpejta se të atyre të huaj, përkatësisht 14.1 dhe 9.6%.

Europa, rritje 3.4%

Në tremujorin e parë të vitit 2026, në strukturat akomoduese turistike në BE u regjistruan 471.1 milionë netqëndrime, me rritje 3.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Janari regjistroi 143.5 milionë netqëndrime, me rritje 3.2% ndaj janarit 2025; shkurti 154.4 milionë, me rritje 3.4%; ndërsa marsi 173.2 milionë, me rritje 3.7%.

Në nivel vendesh, Irlanda shënoi rritjen më të lartë të netqëndrimeve në strukturat akomoduese turistike në tremujorin e parë, me 35.3%, e ndjekur nga Malta me 11.1% dhe Danimarka me 9.3%.

Ndër 9 vendet e BE-së që regjistruan rënie të netqëndrimeve, Lituania pati tkurrjen më të madhe, me -12.9%, e ndjekur nga Rumania me -6.7% dhe Luksemburgu me -3.8%.

Vizitorët e huaj përbënin rreth 46.6% të të gjitha netqëndrimeve në tre muajt e parë të vitit 2026, me dallime të mëdha mes vendeve të BE-së.

Peshën më të lartë të netqëndrimeve nga vizitorët e huaj gjatë kësaj periudhe e regjistruan Malta me 93.3%, Qipro me 85.6% dhe Luksemburgu me 85.1%.

Në të kundërt, vizitorët e huaj përbënin vetëm rreth një të pestën e netqëndrimeve në Gjermani me 19.9%, Poloni me 20.2% dhe Rumani me 22.4%.

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, u rritën si netqëndrimet e vizitorëve të huaj, me 5.5%, ashtu edhe ato të vizitorëve vendas, me 1.7%.

Rritjet më të mëdha të netqëndrimeve nga vizitorët e huaj u regjistruan në Irlandë me 42.3%, Lituani me 24.1% dhe Sllovaki me 15.4%. Në kahun tjetër, rëniet më të forta të vizitorëve të huaj u shënuan në Letoni me -7.5%, Bullgari me -4.3% dhe Belgjikë me -4.0%./ Monitor

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Minatorët e Bulqizës bojkotojnë punën, kërkojnë zgjidhje për kontratat dhe pagat

Punëtorët e minierës së Bulqizës kanë bojkotuar punën këtë...

Rruga Milot–Balldren, reagon Kliti Hoti: Shembull i abuzimit me fondet publike

Deputeti Kliti Hoti ka rikthyer në vëmendje debatin mbi projektin e rrugës Milot–Balldren, të cilin ai e cilëson si një nga shembujt më problematikë të menaxhimit të fondeve publike në vend. Sipas Hotit, kjo vepër infrastrukturore mund të shërbejë si ilustrim në çdo trajnim apo leksion mbi abuzimin me fondet publike dhe mungesën e transparencës […]