Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve i përgjigjet Ramës: Lirimi i protestuesve vendoset nga gjykatat, jo nga politika

Publikuar me datë:

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar ndaj komenteve të kryeministrit Edi Rama për vendimet e marrë nga gjykatat në lidhje me protestuesit e ndaluar, duke shprehur shqetësim për ndikimin që mund të ketë gjuha e tij në pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Përmes një deklarate publike, shoqata dënon dhunën e shfaqur gjatë protestave të fundit, përfshirë goditjen e ndërtesave të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, si dhe djegien dhe dëmtimin e dosjeve gjyqësore. Shoqata thekson se këto akte dëmtojnë institucionet e drejtësisë dhe pengojnë punën normale të tyre. Ajo kujton se mbrojtja e gjykatave dhe personelit gjyqësor është një përgjegjësi shtetërore.

Shoqata gjithashtu ngre shqetësimin për mungesën e ndërhyrjes së duhur dhe të masave mbrojtëse nga ana e Policisë së Shtetit, duke kërkuar veprime të shpejta për të siguruar jetën dhe sigurinë e gjyqtarëve si dhe institucioneve gjyqësore. Në të njëjtën deklaratë, theksohet si problematike edhe mënyra si kryeministri ka komentuar publikisht ndaj gjyqtarëve që po shqyrtojnë ose kanë shqyrtuar kërkesat e prokurorisë për masat e sigurisë kundër protestuesve.

Sipas shoqatës, është e pranueshme të kritikohet vendimmarrja e gjykatave, por kjo duhet të ndodhë pa u kthyer në sulme personale, diskreditim të figurës së gjyqtarëve apo ushtrim presioni publik mbi ushtrimin e detyrës së tyre. Shoqata nënvizon se vlerësimi për ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e masave të sigurisë bëhet nga gjykatat, mbi bazën e provave, ligjit dhe rrethanave të çështjes.

Organizata u kërkon institucioneve shtetërore dhe aktorëve politikë të respektojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe të shmangin çdo lloj presioni mbi gjyqtarët për shkak të vendimeve që ata marrin. Shoqata apelon për marrjen e masave të menjëhershme dhe efektive për të garantuar sigurinë e ambienteve gjyqësore dhe personelit të tyre.

Shoqata shpreh mbështetje për gjyqtarët të cilët ushtrojnë detyrat e tyre me pavarësi, paanshmëri dhe integritet. Ajo thekson rëndësinë e gjykatave të sigurta dhe të pavarura për të pasur drejtësi të besueshme për qytetarët dhe për ndërtimin e një shteti të së drejtës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related