Shkodra, një prej qyteteve me potencialin më të madh turistik në Shqipëri, prej më shumë se dy vitesh nuk ka një zyrë funksionale informacioni turistik. Prej katër vitesh, qyteti nuk merr pjesë as në panaire dhe ekspozita të turizmit në rajon apo në botë, ndryshe nga bashkitë e tjera që investojnë në promovimin e destinacioneve të tyre.
Ndërsa Shkodra prej më shumë se dy vitesh mbetet pa një zyrë informacioni turistik dhe pa një strategji të mirëfilltë promovimi, tashmë qyteti rrezikon të marrë edhe një tjetër barrë, mbetjet e bashkive të tjera. Landfillit të Bushatit pritet t’i shtohen edhe mbetjet nga bashkitë e qarqeve Elbasan dhe Fier, krahas atyre të Shkodrës dhe Lezhës. Pra, në vend që të promovohet si një destinacion turistik, Shkodra rrezikon të kthehet në pikë grumbullimi të mbetjeve të një pjese të madhe të vendit.
Megjithatë, nder vite miliona lekë nga buxheti i Bashkisë Shkodër janë shpenzuar për koncerte dhe aktivitete, ndërsa puna konkrete për promovimin e turizmit dhe zhvillimin e një strategjie afatgjatë duket se ka mbetur në plan të dytë. Drejtimi i bashkisë nga Benet Beci dhe Ermira Teliti vihet në pikëpyetje pikërisht për mënyrën se si janë përcaktuar prioritetet dhe përdorur fondet publike.
Ironikisht, ndërsa Bashkia duket se ka lënë pas dore promovimin turistik, Shkodra ka marrë së fundmi një certifikatë vlerësimi në Çeki, nga një organizatë holandeze, e cila ka përzgjedhur rreth 100 qytete në botë. Aplikimi për Shkodrën është bërë përmes Liqenit të Shkodrës, një prej pasurive më të mëdha natyrore, turistike dhe kulturore të zonës. Vitin e kaluar, këtë vlerësim në Shqipëri e kishte marrë qyteti i Belshit.
Merita për këtë vlerësim u takon punonjësve të Bashkisë që janë angazhuar në përgatitjen e aplikimit. Por ky vlerësim duhet të shërbejë edhe si një kambanë alarmi për drejtuesit e institucionit, të cilët duket se ende nuk e kanë kuptuar potencialin turistik që mbart Shkodra.
Qyteti vazhdon të promovohet kryesisht falë punës së hoteleve, hosteleve, agjencive turistike dhe disa fotografëve e videokrijuesve, të cilët po bëjnë atë që në fakt duhet të ishte detyrë e Bashkisë. Ndërkohë, miliona lekët e buxhetit të destinuara për turizmin ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si janë përdorur.
Një tjetër çështje që ngre shqetësim është edhe zhdukja e zyrës së informacionit turistik, e cila ishte funksionale dhe ishte investuar vetëm pak vite më parë. Në vend të saj, është parashikuar një investim prej 70 milionë lekësh për një zyrë të re. Por, edhe pse kanë kaluar muaj, projekti ende nuk ka përfunduar dhe shifra e investimit ngre pikëpyetje për përmasat dhe përfitimin real të këtij objekti.
Shkodra nuk ka nevojë vetëm për koncerte dhe aktivitete për të tërhequr vëmendjen. Ajo ka nevojë për një strategji të mirëfilltë turistike, promovim të vazhdueshëm dhe investime që i shërbejnë qytetit. Sepse vlerat natyrore dhe kulturore të Shkodrës janë shumë më të mëdha se çdo aktivitet sezonal, ndërsa qytetarët meritojnë të dinë se ku shkojnë milionat e buxhetit të tyre.

