Edicioni i 17-të i “Shkodra Jazz Festival 2026” do të rikthejë Shkodrën në epiqendrën e muzikës jazz përgjatë muajit gusht. Nga 10 deri më 30 gusht, qyteti do të shndërrohet në një arenë të aktiviteteve të pasura artistike, me një kalendar plot koncerte, masterclass dhe ngjarje të ndryshme, ku do të bashkohen muzikantë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja, Serbia, Rumania dhe Italia.
Florian Jakaj, drejtori artistik i festivalit, theksoi se ngjarja edhe këtë vit ka për qëllim të krijojë hapësira të reja për bashkëpunim mes artistëve të rajonit dhe më gjerë, duke e pozicionuar Shkodrën si një pikë kyçe për muzikën jazz dhe ndërveprimin kulturor.
Në këtë edicion, do të vijojë edhe partneriteti me RTSH-në, e cila do të luajë sërish rol të rëndësishëm në promovimin dhe transmetimin e aktiviteteve të festivalit, duke i sjellë ato më afër publikut të gjerë.
Organizuar nga Shoqata Kulturore “Rrok Jakaj” në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe institucione të ndryshme partnere, “Shkodra Jazz Festival 2026” mbështetet në një traditë tashmë të konsoliduar. Festivali vazhdon të nxisë muzikën jazz, shkëmbimin dhe bashkëpunimin kulturor, si dhe të promovojë talentet artistike, duke forcuar identitetin kulturor të Shkodrës.

