Kauza për mbrojtjen e Zvërnecit po gjen gjithnjë e më shumë mbështetje, ndërsa së fundmi është bashkuar edhe grupi Shkodra Elektronike.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, artistët kanë shprehur solidaritetin e tyre me protestën qytetare kundër ndërhyrjeve të planifikuara në zonën e mbrojtur, duke përdorur gjuhën karakteristike që i identifikon.
“Nji SHOK na thotë që këtë mrekulli s’e ka pa kurrë! E po niset njitesh! EDHE NA PO ÇOHENA!”, shkruajnë ata.
Reagimi i grupit vjen në një moment kur kundërshtimet ndaj projektit në Zvërnec po shtohen nga qytetarë, aktivistë, artistë dhe figura publike. Mbështetja e një prej emrave më të njohur të muzikës alternative shqiptare i jep edhe më shumë jehonë një debati që ka dalë përtej kufijve lokalë.
Me këtë qëndrim, Shkodra Elektronike i shtohet listës së zërave që kërkojnë ruajtjen e peizazhit natyror dhe vlerave mjedisore të Zvërnecit, një zonë që konsiderohet ndër më të veçantat në bregdetin shqiptar.

