“Më në fund ra shi!”/ Zjarrfikësit në Indonezi shpërthejnë në festë pas muajsh luftë me flakët, gjunjëzohen dhe puthin tokën e lagur

Publikuar me datë:

Një moment i fortë emocionesh është regjistruar në Indonezi, ku zjarrfikësit vullnetarë kanë shpërthyer në festë pasi reshjet e shiut ndërprenë periudhën e gjatë të zjarreve shkatërruese në pyje. Pas muajsh të tërë përballjeje me flakët, tymin toksik dhe temperaturat e larta, ata janë parë duke kërcyer, përqafuar njëri-tjetrin dhe duke u gjunjëzuar për të prekur tokën e lagur.

Pamjet, që po bëjnë xhiron e rrjeteve sociale, tregojnë lehtësimin e madh të zjarrfikësve, për të cilët shiu nuk ishte thjesht një ndryshim i motit, por ndihma që kishin pritur prej muajsh.

Skenat prekëse u filmuan në rajonin Palakkaraya, në provincën Kalimantan Qendrore, ku zjarret në pyje kanë përfshirë zona të gjera që prej muajit gusht, duke shkaktuar ndotje të rëndë të ajrit.

Mbrëmjen e së mërkurës, më 28 tetor, kur një tjetër rrebesh shiu përfshiu zonën, zjarrfikësit dolën në rrugë, u hodhën në pellgje me ujë dhe u gjunjëzuan në shenjë mirënjohjeje.

Zjarrfikësi vullnetar Lukman El Hakim rrëfeu për Agence France-Presse emocionet që përjetuan kur nisën reshjet.

“Ishim pa masë të gëzuar. Të gjithë ne vullnetarët ishim aq të lumtur saqë ramë përtokë për të shprehur mirënjohjen tonë. Faleminderit Zotit që më në fund ra shi”, tha ai.

Gjesti i zjarrfikësve, të cilët prekën tokën me ballë, është një akt falënderimi në traditën islame, i njohur si “sujud syukur”.

Pamje të ngjashme u regjistruan edhe më 25 tetor në distriktin Banjar të Kalimantanit Jugor, ku zjarrfikësit vullnetarë, ende të veshur me uniforma dhe duke mbajtur tubat e ujit, festuan rikthimin e reshjeve.

Indonezia po përballet me një periudhë të vështirë zjarresh në pyje, të cilat kanë shkatërruar sipërfaqe të mëdha pyjore dhe toka torfe.

Thatësira e zgjatur, temperaturat e larta dhe kushtet atmosferike të lidhura me fenomenin El Niño kanë favorizuar përhapjen e flakëve. Tymi i dendur ka mbuluar zona të banuara, duke përkeqësuar cilësinë e ajrit dhe duke ndikuar në jetën e përditshme të miliona njerëzve.

Mjegulla toksike ka kaluar edhe kufijtë e Indonezisë, duke prekur vende fqinje si Malajzia, Brunei dhe Singapori.

Autoritetet kanë ngritur shqetësimin edhe për praktikën e pastrimit të tokave bujqësore përmes djegies së bimësisë, e njohur si metoda “prerje dhe djegie”. Kjo mënyrë përdoret për përgatitjen e tokës për kultivim dhe, pavarësisht ndalimeve, vijon të jetë një nga faktorët që kontribuojnë në shpërthimin e zjarreve.

Megjithëse reshjet kanë sjellë lehtësim për zjarrfikësit dhe banorët, kriza nuk konsiderohet e përfunduar. Meteorologët paralajmërojnë se shiu mund të jetë i përkohshëm dhe jo i njëtrajtshëm në të gjitha zonat, ndërsa kushtet e thata mund të vazhdojnë në territoret më të rrezikuara.

Autoritetet po monitorojnë gjithashtu zhvillimin e fenomenit El Niño, mes shqetësimeve se periudha e thatësirës mund të zgjasë më tej.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Me armë me vete, arrestohet 41-vjeçari në Vorë. Çfarë iu gjet në banesë

Arrestohet në Vorë 41 vjeçari Elton Andreica, i njohur...

Rama vendos sërish tavolinën e gurit para Kryeministrisë, studentët refuzojnë dialogun, kërkojnë largimin e tij

Edhe sot, përpara godinës së Kryeministrisë, është vendosur tavolina...

Nga pëlqimet te tatimet, qeveria po përgatit skemë të re fiskale për influencerët

Të ardhurat e siguruara përmes rrjeteve sociale pritet të...