Shkodër/ Sekuestrohen rreth 77 kg kanabis, armë dhe municione! Në pranga dy vëllezër, në kërkim djali i njërit prej tyre

Policia e Shkodrës ka goditur një tjetër veprimtari të dyshuar kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, në kuadër të operacionit të koduar “Polinomi 2”. Pas katër muajsh hetime me metoda proaktive, në pranga kanë rënë dy vëllezër, ndërsa djali i njërit prej tyre është shpallur në kërkim.

Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 77 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një pistoletë, një pushkë pneumatike, municion luftarak për armë zjarri dhe armë gjahu, si dhe pajisje të tjera që dyshohet se përdoreshin për veprimtarinë kriminale.

Të arrestuarit janë Gj. Sh., 49 vjeç, banues në fshatin Abat, dhe K. Sh., 57 vjeç, banues në Grudë të Re. Ndërkohë, është shpallur në kërkim djali 24-vjeçar i këtij të fundit, K. Sh., i cili dyshohet se është i përfshirë në të njëjtën veprimtari.

Sipas Policisë, gjatë kontrollit në banesën e 49-vjeçarit në fshatin Abat u gjetën dhe u sekuestruan 10 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Ndërsa në banesën e 57-vjeçarit, në Grudë të Re, u zbuluan rreth 66.8 kilogramë kanabis, të ndara në thasë. Gjithashtu, policia sekuestroi një pistoletë me krehër dhe fishekë, një pushkë pneumatike, municion për armë zjarri dhe armë gjahu, aksesorë armësh, një shkop metalik, dy radio marrëse-dhënëse, një peshore elektronike dhe tri pajisje optike, konkretisht dy kamera dhe një monokular.

Operacioni “Polinomi 2” u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë, në vijim të operacionit “Polinomi”, të zhvilluar disa ditë më parë, gjatë të cilit ishte goditur një grup i dyshuar kriminal.

Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e 24-vjeçarit të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe