Drejtori i Zonave të Mbrojtura në Shkodër, Agim Dardha ka reaguar lidhur me debatet e krijuara pas publikimit të të dhënave mbi numrin e specieve të peshqve në Liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna.
Në një reagim publik, Dardha vlerëson projektin “Green-AL” dhe bashkëpunimin me Universitetin e Lubjanës, por thekson se rezultatet e monitorimit nuk duhet të interpretohen si numri total i specieve ekzistuese në liqen.
Sipas tij, evidentimi i 18 llojeve të peshqve gjatë monitorimit nuk do të thotë se në liqen ekzistojnë vetëm 18 specie, pasi monitorimi përfaqëson një vlerësim të kufizuar në kohë, hapësirë dhe metodologji.
Dardha nënvizon se Liqeni i Shkodrës dhe lumi Buna janë sisteme dinamike, ku prania e specieve ndryshon sipas stinëve, migrimeve dhe habitateve të ndryshme, ndërsa çdo metodë kampionimi ka kufizimet e veta.
Ai shton se shqetësimet për presionet ndaj ekosistemit, si peshkimi i paligjshëm dhe degradimi i habitateve, mbeten reale, por interpretimi i të dhënave duhet të shmangë përfundimet absolute.
Statusi i plotë:
Dua të bëj një sqarim lidhur me interpretimin e të dhënave për Liqenin e Shkodrës e Lumin Buna. Vlerësoj punën dhe angazhimin në kuadër të projektit Green-AL dhe bashkëpunimin me Universitetin e Lubjanës, si një kontribut me vlerë në monitorimin e ekosistemit të liqenit. Megjithatë, mendoj se rezultatet e paraqitura duhet të interpretohen me kujdes dhe në përputhje me metodologjinë shkencore.
Një dallim shumë i rëndësishëm është fakti se: “Të evidentosh 18 lloje peshqish gjatë një monitorimi” nuk do të thotë automatikisht se “në liqen ekzistojnë vetëm 18 lloje”. Monitorimi i realizuar nuk përbën një inventar të plotë të biodiversitetit, por një vlerësim të kufizuar në kohë, hapësirë dhe metodologji. Mosdetektimi nuk do të thotë mungesë reale. Shumë specie mund të mos evidentohen për shkak të dendësisë së ulët, sjelljes biologjike apo kufizimeve të kampionimit. Liqeni i Shkodrës dhe lumi Buna janë sisteme shumë dinamike. Prania e specieve ndryshon gjatë vitit për shkak të migrimeve dhe cikleve biologjike.
Çdo metodë kampionimi ka kufizimet e veta dhe është selektive. Asnjë teknikë e vetme nuk mund të përfaqësojë të gjithë komunitetin e peshqve pa një monitorim të kombinuar dhe afatgjatë. Habitatet në liqen janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, ndaj edhe komunitetet e peshqve ndryshojnë sipas zonave. Një monitorim i kufizuar nuk mund t’i përfshijë të gjitha. Shifra prej 57 speciesh është rezultat i dekadave studimesh dhe kërkimesh shkencore, ndërsa një monitorim i vetëm përfaqëson vetëm një moment të caktuar në kohë.
Për këtë arsye, krahasimi i drejtpërdrejtë i këtyre dy qasjeve nuk është metodologjikisht i saktë. Natyrisht që shqetësimet për presionet mbi ekosistemin, si peshkimi i paligjshëm apo degradimi i habitateve, janë reale dhe kërkojnë vëmendje serioze. Por po aq e rëndësishme është që interpretimi i të dhënave të mos çojë në përfundime të nxituara apo absolute. Formulimi më korrekt shkencërisht do të ishte: “Gjatë këtij monitorimi janë evidentuar 18 specie”, dhe jo se ky është numri total i specieve në Liqenin e Shkodrës e Lumin Buna.

