Shëngjini është kthyer në një hapësirë ku letërsia takohet me turizmin, përmes edicionit të dytë të Panairit të Librit, i zhvilluar këtë vit nën moton “Letërsia përtej kufijve”.
Aktiviteti u organizua nga Bashkia Lezhë në bashkëpunim me Klubin e Letrave “Ndoc Gjeta”, me synimin për ta sjellë librin më pranë publikut dhe për t’i dhënë kulturës një vend të rëndësishëm edhe gjatë muajve të sezonit turistik.
Përgjatë panairit, shkrimtarë, poetë dhe përfaqësues të botimeve patën mundësinë të prezantojnë krijimtarinë e tyre dhe të bashkëbisedojnë drejtpërdrejt me lexuesit. Eventi solli një ndërthurje mes atmosferës turistike të Shëngjinit dhe veprimtarive kulturore.
Kreu i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, vuri në dukje lidhjen e hershme të Lezhës me letërsinë dhe librin, duke e cilësuar organizimin e aktiviteteve të tilla si një mënyrë për të promovuar trashëgiminë dhe traditën kulturore të zonës.

