Agron Shehaj, kreu i Partisë Mundësia, ka analizuar me tone të ashpra zhvillimet më të reja politike dhe situatën në drejtësi, duke u ndalur veçanërisht te vendosja në arrest shtëpie e ish-kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, si edhe konfliktet e brendshme në mazhorancë.
Shehaj theksoi se masa ndaj drejtueses së shërbimit sekret ka shkaktuar tronditje te kryeministri Edi Rama, për shkak të rolit të ndjeshëm që institucioni përfaqëson në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
“Edi Rama nga ky lajm është i trembur si kurrë më parë, sepse është një tjetër mesazh që nuk ka të paprekshëm. Kur njerëz me pushtet politik përfundojnë para drejtësisë, por edhe në burg, njerëz me shumë para, e kanë kuptuar se nuk janë të paprekshëm. Kur i ndodh një zyrtari si kreu i SHISH, që vepron në kuadër bashkëpunimi me institucione të ngjashme të NATO-s, BE, SHBA, kuptohet që për Edi Ramën një lajm i tillë ka qenë shumë i rëndë,” deklaroi Shehaj.
Më pas, kryetari i Partisë Mundësia u ndal në dyzimet e kryeministrit Rama përballë drejtësisë ndaj bashkëpunëtorëve të tij, duke denoncuar prapaskenat në rastin e heqjes së imunitetit për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Sipas Shehajt, ndryshe nga rastet e tjera kur Rama është distancuar, ndaj Ballukut ai është detyruar të ndalë kërkesën e SPAK, për shkak të peshës së saj absolute në Partinë Socialiste.
“Reagimet e Edi Ramës janë në funksion të personit. Kur arrestojnë një ministër thotë se ministri mban përgjegjësi. Kur duan të arrestojnë zëvendëskryeministren thotë jo, sepse kjo e kërcënon se ka shumë pushtet. Ajo e detyron Ramën të shkojë në Parlament në 1 të natës që të votojë. Balluku nuk shkon në Parlament sepse nuk pranon të ulet në karrigen e deputetit. Është shumë e rëndësishme ajo dhe e detyron Ramën të shkojë në Parlament.”
“SPAK ka kërkuar arrestimin për Ballukun. Nuk mbajti standard të dyfishtë nga rasti i Veliajt sepse Veliaj nuk kishte imunitet deputeti. Ballukun Rama e mbrojti sepse pati imunitet. Uroj të vijë kërkesa e dytë për arrestimin e Ballukut, ndonëse ka gjasa që Rama të mos e lëshojë sërish. Kur erdhi kërkesa për arrestimin e Arben Ahmetajt e votuan shumë shpejt. Për Ballukun e shtynë nja 3 muaj, më pas nuk e votuan heqjen e imunitetit të saj. Të gjithë në Shqipëri kanë të drejtë të mendojnë se drejtësia po vonon sepse është vonë, pasi duhet të kishim parë para drejtësisë zyrtarët e korruptuar prej shumë kohësh. Fati politik i Ballukut është i vendosur, nuk ka më të ardhme.”
Në përmbyllje, Shehaj e përshkroi mazhorancën si të fragmentarizuar në grupe të ndryshme interesi, duke theksuar se arrestimet te AKSH dhe SHISH kanë sjellë konfuzion të madh.
Shehaj gjithashtu vlerësoi vendimin e deputetes Marjana Koçeku për t’u larguar nga grupi parlamentar socialist.
“PS është e ndarë: ose janë me Belindën, ose me Ergys Agasin, ose me Veliajn. Kur u caktua arrest për Mirlinda Karçanajn nuk foli askush. Tani me arrestimin e shefes së SHISH janë të hutuar, nuk kanë çfarë të thonë. Nuk ka opozitarë në PS. Një opozitare doli, ajo u shkëput nga grupi i PS-së, Marjana Koçeku. Ajo ka vepruar dhe refuzoi të vazhdonte me këta që janë bandë kriminale,” përfundoi Agron Shehaj.

