Policia e Tiranës ka zhvilluar një plan të posaçëm kontrollesh dhe veprime operative me qëllim lokalizimin dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim. Si rezultat, janë kapur 8 shtetas, të kërkuar për vepra të ndryshme penale, përfshirë krime të rënda kundër personit, armëmbajtje pa leje, prodhim dhe shitje narkotikësh, vjedhje dhe falsifikim dokumentesh.
Gjatë operacionit, njërit prej personave të kërkuar për prodhim dhe shitje narkotikësh, në momentin e ndalimit, iu gjet dhe sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Personit dhe Pronës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, arrestuan shtetasin K. T., 39 vjeç, ndaj të cilit Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, specialistët e së njëjtës strukturë arrestuan edhe shtetasin E. B., 31 vjeç, i dënuar me 2 vjet burgim për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, arrestuan shtetasin N. M., i dënuar me 4 muaj burgim për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin S. V., 18 vjeç, i kërkuar nga DVP Elbasan për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, arrestuan shtetasin K. Xh., i dënuar me 3 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 u arrestuan dy persona. Në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, u vu në pranga shtetasi R. L., 26 vjeç, i dënuar me 3 muaj burgim për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”. Atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 1 muaj e 3 ditë burgim.
Po nga Komisariati i Policisë Nr. 3 u arrestua shtetasi O. N., 30 vjeç, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjithashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin K. M., 29 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë ndalimit, atij iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua si provë materiale.
Materialet procedurale për të gjithë personat e arrestuar i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

