Në fokus të mbledhjes ishin regjistrimet e studentëve, kriteret për anëtarët e Bordit të Administrimit dhe vlerësimi i kontributit të pedagoges Albana Kullolli Kastrati
Senati Akademik i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” zhvilloi sot mbledhjen e radhës, të drejtuar nga rektorja Prof. Dr. Blerta Dragusha.
Në nisje të mbledhjes, rektorja informoi mbi ecurinë e procesit të regjistrimeve deri në këtë fazë, duke vënë theksin te nevoja për vijimin e angazhimit dhe bashkëpunimit të strukturave të universitetit gjatë raundeve të ardhshme.
Gjatë mbledhjes, Senati Akademik miratoi kriteret për anëtarët e Bordit të Administrimit, ndërsa diskutoi edhe çështje të tjera të përfshira në rendin e ditës.
Një nga vendimet ishte edhe miratimi i dhënies së një Certifikate Mirënjohjeje për pedagogen Albana Kullolli Kastrati, me rastin e njëvjetorit të ndarjes së saj nga jeta. Certifikata synon të shërbejë si vlerësim për kontributin e saj në jetën akademike dhe universitare të Universitetit të Shkodrës.
Senati vijon punën për çështjet që lidhen me procesin akademik, administrimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

